
Një raund i dytë bisedimesh ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase është planifikuar për më 2 mars, raportoi të martën media ukrainase Zerkalo Nedeli e po ashtu njoftoi dhe agjencia ruse TASS.
Një tjetër media ukrainase, Glavkom, duke cituar burime në delegacionin ukrainas, zbuloi kushtet e propozuara nga palët në takimin e parë, kushte që do të jenë baza e raundit të dytë të diskutimeve.
Ai tha se Rusia i kishte kërkuar Ukrainës që:
1.Të angazhohet dhe dokumentohet statusi i saj përfundimisht si vend jashtë bllokut të NATO-s.
2.Të njohë Republikat Demokratike të Donetskut dhe Luhanskut në kufijtë administrativë të rajoneve përkatëse.
3.Të tërheqë kërkesën e saj për kthimin e Krimesë në Ukrainë.
Ukraina, sipas Glavkom, ka kërkuar një armëpushim dhe tërheqjen e trupave ruse nga territori i saj.
Zelensky: Mos na bombardoni, që të bisedojmë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se Rusia duhet të ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase përpara se të fillojnë bisedimet e 2 marsit për një armëpushim, raporton noa.al duke cituar agjencinë Reuters.
Duke folur me gazetarët në një intervistë brenda një kompleksi qeveritar të mbrojtur si fortesë, Zelensky u kërkoi anëtarëve të NATO-s të vendosin një zonë ndalim-fluturimi për të ndalur aviacionin rus.
Ai madje këmbënguli se një zonë ndalim-fluturimi do të ishte një masë paraprake dhe nuk do të kishte për qëllim të tërhiqte aleancën e NATO-s në luftë me Rusinë.
Ministri i Jashtëm ukrainas: Nuk do të pranojmë asnjë ultimatum
Ukraina po analizon rezultatet e bisedimeve të para pak ditëve me Rusinë dhe po formon pozicionin e saj për raundin tjetër të bisedimeve
Ukraina nuk ka ndërmend të pranojë asnjë ultimatum të Kremlinit, tha të martën ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba, gjatë një konference online, siç bëri të ditur agjencia Ukrinform.