17.5 C
Tirana
Saturday, 23 October, 2021

Mbrojtje ndërkombëtare për afganët në Shqipëri

Refugjatët afganë që do të mbërrijnë në vendin tonë do të përfitojnë mbrojtje ndërkombëtare. Në mbledhjen e fundit të mandatit të saj qeveria miratoi edhe vendimin, i cili garanton një mbrojtje të veçantë për një periudhë 1-vjeçare të gjithë shtetasve afganë që do të evakuohen në vendin tonë për arsye të luftës, dhunës dhe konfliktit të brendshëm në Afganistan.

Sipas vendimit, autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast.

Gjithashtu qeveria vendosi ngritjen e një task-forcë që do të kryesohet nga Ministri i Jashtëm dhe në përbërje të tij do të jenë përfaqësues të gjashtë ministrive të tjera, e cila do të menaxhojë fluksin e kërkesave për mbrojtjen ndërkombëtare të afganëve si dhe akomodimin e tyre në Shqipëri.

Por ndërsa qeveria merr masa për pritjen e refugjatëve afganë, zhvillimet kaotike ne aeroportin e Kabulit po vonojnë misionet e shpëtimit, përfshi edhe  evakuimin e tyre drejt vendit tonë. Presidenti amerikan, Joe Biden pas takimit të G7, udhëzoi Pentagonin dhe Departamentin Amerikan të Shtetit të përgatisin plane alternative për të përshtatur kohën e tërheqjes.

DASH i pyetur nga Deutsche Welle lidhur me ardhjen e refugjatëve afganë në Shqipëri dha këtë përgjigje: “Për shkak të natyrës së komplikuar të këtyre zhvendosjeve dhe për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e personave që vijnë, nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera për kohën e mbërritjes, transportin, vendndodhjen lokale dhe destinacionin e mëtejshëm.”

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se vendi ka kapacitete për të pritur një kontingjent deri në 3 mijë afganë, ndërsa si fazë e parë parashikohet të vijnë rreth 300 persona.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com