• 31/03/2023

Mazhoranca largohet nga mbledhja e Komisionit Hetimor, Alibeaj: Bojkot i pastër

 Mazhoranca largohet nga mbledhja e Komisionit Hetimor, Alibeaj: Bojkot i pastër

Deputetët e mazhorancës në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit janë larguar nga mbledhja e radhës. Gjithçka ndodhi pasi Alibeaj hodhi në votim kërkesën e mazhorancës që rendi i ditës të vazhdojë me emërimin e sekretarit të Komisionit, kërkesën për marrje provash dhe të dhënash si dhe miratimin e rregullores. Por për këtë propozim votuan pro vetëm 6 deputetë të opozitës ndërsa 8 të mazhorancës votuan kundër.

“Kërkesat e bëra nga palët për ta sjellë rendin e ditës në një veprimtari funksionale duke akomoduar edhe kërkesën e secilës parë për të vazhduar me shqyrtimin e rregullores së pari, së dyti edhe me kërkesën e ofruar nga zoti Bardhi për të kaluar si pikë të parë të rendit zgjedhjen e sekretarit, u rrëzua fatkeqësisht. Për këtë arsye rendi i ditës ngelet ai që është ofruar prej meje në cilësinë e kryetarit pa asnjë kompleksiteti në zbatim të ligjit”, tha Alibeaj.

Pas kësaj, deputetët e mazhorancës kundërshtuan me tone të larta. “Kam kërkuar të drejtën time për të shpjeguar votën kundër”, tha deputetja Blerina Gjylameti. Ndërkohë zv/kryetari i Komisionit, Toni Gogu kërkoi 5 minuta pushim që “mbledhja të vijë në kufijtë dhe në kornizat e ligjshmërisë”.

“Bardhi keni të drejtën për të folur. Të mos e konsiderojmë si ikje këtë. Zoti Bardhi sepse kjo duket se është një kërkesë për të bojkotuar. Është kërkesë e pastër për të bojkotuar. Vazhdo. Mbledhja vazhdon. Kuorimi vazhdon. Kanë shkuar në banjo do të vijnë përsëri”, tha Alibeaj.

Pas disa minutash largim, deputetët e mazhorancës u rikthyen në komision dhe kundërshtuan kërkesën e opozitës duke pretenduar shkelje rregullore.

Zonja Gjylameti ju kërkoj të mos shkelni rregulloren dhe të lejoni që të vazhdojë mbledhja”, tha Alibeaj.

Pas kësaj deputetët e mazhorancës e braktisën sërish mbledhjen e radhës të Komisionit Hetimor. Pas kësaj transmetimin për mediat i Komisionit hetimor për zgjedhjet u ndërpre pasi po transmetohej live në platformën “Faceboook”.

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit është ngritur për të hetuar veprimtarinë e organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Të ngjashme