Në ngjarjen tragjike të sulmit me armë në një shkollë të mesme në Grazit të Austrisë, autor është një 22-vjeçar, i cili ishte armatosur me një pistoletë dhe një pushkë. Në një intervistë për RTSH 24, studiuesi në Universitetin e Grazit, Martin Prochazka tha se autori ka hapur zjarr në dy klasa dhe se viktimat janë nxënës dhe një mësues. Lidhur me të plagosurit, ku nuk dihet ende numri i saktë, studiuesi u shpreh se më shumti janë nxënëse.
Lidhur me autorin, studiuesi Prochazka u shpreh se deri tani dihet se ai ishte ish-student i shkollës dhe se thuhet se ka qenë viktimë e bullizimit. Sipas tij, bazuar në informacionet e autoriteteve, autori është mbyllur në banjë dhe ka vrarë veten pas mbërritjes së policisë.
“Janë vrarë nxënës të dy klasave dhe një mësues. Kur njësia e posaçme anti-terroriste mbërrit në shkollë, autorit është mbyllur në banjë dhe ka vrarë veten. Ai ishte i armatosur me një pushkë dhe një pistoletë. Autori armët i kishte marrë me leje. 22-vjeçari ka qenë ish-student i shkollës dhe thuhet se ishte viktimë e bullizimit. Ka të plagosur që janë në rrezik për jetën, por nuk dihet numri saktë, shumica janë nxënëse pasi ai qëlloi në dy klasa”, tha studiuesi.
I pyetur për sigurinë në shkolla, studiuesi tha se Austria është një vend mjaft i sigurt me kriminalitet të ulët dhe se raste të tilla janë tepër të rralla që jo gjithmonë mund të parandalohen.
“Këto raste në Austri janë tragjedi e madhe pasi nuk janë situata që ndodhin. Nëse një person është objekt i bullizimit ka psikologë nëpër shkolla dhe vetë austriakët janë të ndjeshëm kur trajtohen këto tema. Megjithatë këto raste nuk mund të parandalohen”, tha ai.
Të paktën 10 persona janë vranë dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë të shtënave me armë në shkollë, ku viktimat përfshijnë fëmijë të moshës 14 deri në 18 vjeç.