26/01/2023

Ditën e sotme është zhvilluar seanca publike e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve me rendin e ditës: Projektvendim “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, z. Pandeli Sotir Majko.

Gjatë fjalës së tij, Ilirjan Celibashi është shprehur se KQZ ka vendosur që t’ia dorëzojë mandatin e ish-deputetit të PS, Alqi Bllakos për Pandeli Majkon.

Ilirjan Celibashi: KQZ vendos dhënien e mandatit të ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alqi Bllakos për  Pandeli Sotir Majkon. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Majko ka marrë mandatin e deputetit të PS-së në qarkun e Tiranës, pas dorëzimit nga Bllako.

Kujtojmë se Bllako dorëzoi mandatin e tij pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij për përfshirjen në aferën e inceneratorit të Fierit.

Më herët, Pandeli Majko ka pranuar mandatin e lënë nga Alqi Bllako. Ai ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.

Sjellim në vëmendje se në qeverinë e kaluar Pandeli Majko ka mbajtur detyrën e ministrit për Diasporën. Ndërkohë ai ishte i renditur i 19 në listën e PS-së ndërkohë selia rozë fitoi vetëm 18 mandate në kryeqytet në zgjedhjet e 25 Prillit.