Makina bie në përrua, humbin jetën në aksident çifti i bashkëshortëve

Aksidentet automobilistike vijojnë të marrin jetë në rrugët e vendit. Mëngjesin e kësaj të hëne, bilanceve tragjike të aksidenteve i janë shtuar edhe çifti i bashkëshortëve, Arjan dhe Majlinda Yze nga Devolli.
Ngjarja ka ndodhur në aksin nacional rrugor Librazhd-Përrenjas, pranë fshatit Pishkash. Autovetura tip Volkswagen e drejtuar nga Arjan Yze, ka dalë nga rruga duke përfunduar e përmbysur në një përrua.
Dyshohet se aksidenti ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të dielës, por vetëm në orët para të mëngjesit të kësaj të hëne kanë qenë drejtues të mjeteve të tjera që kanë pikasur mjetin në përrua duke lajmëruar policinë.
Kjo e fundit, e mbështetur edhe nga zjarrfikësit kanë bërë të mundur nxjerrjen e mjetit së bashku me trupat e bashkëshortëve Yze, të cilët humbën jetën.
Policia ka konfirmuar se në automjet nuk ka patur persona të tjerë. Aksi nacional rrugor Elbasan-Prrenjas është ndër akset që kanë një numër të konsiderueshëm të njollave të zeza ku kanë ndodhur aksidente me pasoja fatale.