“Lodhja e stafit të izoluar në Çernobil, rrezik për botën”

Lodhja në rritje e stafit të izoluar prej 10 ditësh në termocentralin bërthamor të Çernobilit nuk është vetëm i vështirë, por mund të përbëjë “rrezik për botën”, tha kryebashkiaku i Slavutych, Yuriy Fomichev, në një intervistë për CNN këtë të shtunë.
“Njerëzit janë të lodhur; të rraskapitur, si mendërisht ashtu edhe emocionalisht, por kryesisht fizikisht”, tha Fomichev, duke shtuar se më shumë se 100 njerëz në këtë termocentral janë personel me turne.
“Një strukturë bërthamore e drejtuar prej 100 persona që punojnë pa pushim për 10 ditë me radhë do të thotë se nivelet e tyre të përqendrimit janë shumë të ulëta… gjëja kryesore që ne duam të përcjellim është se është shumë e rrezikshme”, tha Fomichev.
Punonjësit e Çernobilit hanë vetëm një vakt në ditë dhe kanë kohë të kufizuar për të kontaktuar familjet e tyre, tha Fomichev.
Slavutych, qytet në Ukrainën veriore, u ndërtua qëllimisht në vitin 1986 për të strehuar personelin e evakuuar nga termocentrali i Çernobilit, vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë.
Aktualisht ky termocentral është nën pushtimin e forcave ruse.