-5.5 C
Tirana
Thursday, 27 January, 2022

Llalla kërkon azil politik në Itali, juristët: Taktikë për të fituar kohë, s’do e përfitojë! Braho: Ekstradimi s’kryhet pa mbyllur procedurat e azilit

Ish prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka kërkuar azil politik në Itali, por sipas juristëve ai nuk do ta përfitojë. Në ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, juristja Eneida Buzhaku tha se kërkesa për azil është një taktikë e Llallës për të përfituar kohë. Buzhaku ritheksoi edhe njëherë se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për të nisur procedurat për ekstradimin, ndërsa thekson se kjo procedurë do të merret në shqyrtim nga autoritetet italian brenda 40 ditëve, pasi është emergjente.

“Duke qenë ish-prokuror i Përgjithshëm zoti Llalla e di mirë sesi funksionin kjo pjesa e arratisjes dhe mbi të gjitha ky momenti i azilit politik është një lloj forme më shumë devijancë politike për të fituar kohë sesa do të ketë një efekt për ekstradimin e tij në Shqipëri. SPAK kishte dorëzuar të gjithë praktikën në lidhje me procedurën e ekstradimit. Ka një impakt publik shumë të lartë si çështje, bëhet fjalë për njzë nga zyrtarët më të lartë të shtetit tonë, atë që është pushteti i tretë, atë gjyqësor”, tha.

Jo absolutisht jo. Ligji italian për azilin politik është shumë strikt, ka një seri sitash, veprimi, kontrollesh, vlerësimi paraprak dhe kanalesh të tjera rivlerësimi të cilat nuk aplikohen në këto raste. Rasti zotit Llalla në lidhje me azilin politik në Itali është një rast që ata nuk e marrin fare në konsideratë për motivin politik sepse Shqipëria për ta është një vend partner. Ata e njohin shumë mirë realitetin shqiptar, kemi një partneritet me Italinë prej 31 vitesh shumë të ndërlidhur në institucione dhe ndihmën juridike reciproke që ne kemi. Pastaj janë oficerët e kontaktit në Ministrinë e Drejtësisë tonë dhe atë italiane dhe e dinë shumë mirë kush është Adriatik Llalla”, tha Buzhaku për Report Tv.

Ndërkohë, edhe juristi Ledio Braho ndan të njëjtin mendim që kërkesa për azil është thjesht një zgjatje procedurash por jo një qëllim i Llallës për ta përfituar atë. Sipas tij, pa mbaruar procedurat e azilit politik, Llalla nuk mund të ekstradohet në Shqipëri.

“Aq më tepër po të kemi parasysh që zoti Llalla në Shqipëri është dënuar fshehje dhe mosdeklarim pasurish, pra nuk është se është dënuar për ndonjë vepër që mund të ketë qasje të ndryshme politike, aq më tepër që ai nuk ka qenë politikan por Prokuror i Përgjithshëm. Ai kërkon që të marrë kohë për shqyrtimin e procedurave sepse derisa të përfundojë plotësisht procesi i azilit ai nuk mund të ekstradohet. Unë e shoh si zgjatje procedurash dhe jo si qëllim në vetvete përfitimin e azilit politik”, tha Braho.

Pas dy muajsh kërkime, Adriatik Llalla ra në prangat e policisë italiane. Llalla u dënua me dy vite burg lënë në fuqi edhe nga Apeli me akuzën e refuzimit për deklarimin, mosdeklarim dhe fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar në pranga.

Ish kryeprokurori iku nga Shqipëria një javë përpara se gjykata e Apelit të jepte vendimin ndaj tij dhe për herë të fundit ai u fotografua në stacionin e trenit në Romë. Ndërkohë burime pranë Llallës mohojnë arrestimin duke deklaruar se ai ka njoftuar policinë italiane dhe është në pritje të përgjigjes për kërkesën që ai ka bërë për azil politik.

TË NGJASHME

TË FUNDIT