4.5 C
Tirana
Thursday, 28 October, 2021

Lista e zezë për Ballkanin, Biden emëron James O’Brien për sanksionet

Presidenti Biden ka emëruar orët e fundit diplomatin e njohur James O’Brien për të zbatuar në praktikë urdhrin e tij ekzekutiv ku parashikohet ngrirja e pasurive si dhe ndalimi i hyrjes në SHBA për ata zyrtarë nga Ballkani Perëndimor që vijojnë që të destabilizojnë këtë rajon, kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Urdhri i ri presidencial ka përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

O’Brien do të ketë gradën e ambasadorit ndërsa para se të marrë postin e ri duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. O’Brien është i njohur me situatën në Ballkanin Perëndimor, sepse ka punuar më parë në këtë rajon.

Nga viti 1989 deri në vitin 2001 O’Brien shërbeu si Këshilltar i Lartë i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe i dërguar presidencial për Ballkanin Perëndimor. Me marrjen e detyrës zyrtarisht ai duhet të zbatojë regjimin e sanksioneve, pra “listën e zezë” amerikane. Urdhri i Biden është vazhdim i një urdhri të vitit 2001 të ish-administratës Bush, ku parashikohen sanksione për individët me pushtet nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Me vendimarrjen e administratës së re amerikane ky urdhër është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Sipas Shtëpisë së Bardhë korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. Departamenti i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan shumë zyrtarëve në rajon, emra të cilët janë bërë ose jo publikë.

Shtëpia e Bardhë në konsultim me Departamentin e Shtetit me emërimin e zotit O’Brien do të vazhdojë ta përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri. Procesi i krijimit të “listave të zeza” të SHBA me të shpallur non grata ka rezultuar proces shumë i ngadalshëm. Për momentin duhet deri në 10 vjet para se një person të gjendet në këtë listë të zezë.

Duke emëruar zotin O’Brien si koordinator, administrata e Biden, sipas mediave amerikane padyshim, dëshiron që puna të shkojë shumë më shpejt, të jetë me cilësi më të mirë dhe më efikase.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com