Disa aeroplanë të linjave të ndryshme janë sulmuar me laser të shtunën mbrëma në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Përveç forcave të rendit, rastin e konfirmon edhe Driton Ujkani, zëdhënësi i Trafikut Ajror.
Ujkani tha se në vend, diçka e tillë është e shpeshtë.
“Rasti dje është sulm me laser nga persona të papërgjegjshëm. Në momentin që laseri i drejtohet kabinës së pilotëve, rrezet shpërndahen e ku ndriçojnë atë duke pamundësuar shikim”.
Për këtë janë duke u marrë edhe forcat policore. Por autorët e rastit në fjalë, ende nuk kanë rënë në pranga.
Përdorimi i tyre në Kosovë konsiderohet i paligjshëm. Ndërsa për autorët, parashikohet gjobë deri në 20 mijë euro, e dënim me burg deri në 5 vjet.
Me diçka të ngjashme ballafaqohen edhe linjat e aeroplanëve në botë. Vetëm për 6 vite në Britani të Madhe, raportohet për 9 mijë raste të tilla.