15.5 C
Tirana
Saturday, 23 October, 2021

Kuvendi miraton qeverinë “Rama 3” me 77 vota pro

Kuvendi i Shqipërisë votëbesoi në orët e para së premtes, pas një seance maratonë që zgjati për afro 20 orë, qeverinë “Rama 3”.

“Kanë votuar pro, 77 deputetë, kundër 53 deputetë, abstenuar 1 deputet”.

Pas votimit kryeministri Edi Rama ripërsëriti edhe një herë se sfidë për mazhorancën që ai drejton mbetet realizimi i të gjitha angazhimeve që përmban programi qeverisës.

“Mbase nuk do ta kisha marrë fjalën nëse nuk do të kisha dëgjuar që njerëzit janë në çadra sepse na duhen për t’ju blerë votën. Njerëzit që janë në çadra marrin bonusin e qirasë. Është zgjedhja e tyre që të qëndrojnë në çadër”.

Ai gjithashtu ftoi opozitën që të bashkëpunojë duke u shprehur i hapur të nisin diskutimet për një sërë çështjesh të rëndësishme siç është reforma zgjedhore, reforma kushtetuese apo edhe ajo territoriale, megjithëse për këtë të fundit tha se kanë qëndrime krejt të kundërta.

“…në një numër më të vogël bashkish dhe numër më të madh njësish administrative do të ishte rruga e duhur. Ata kanë një qëndrim tjetër, nuk ka asnjë problem. Ajo që duhet të bëjmë është që të ulemi dhe të ballafaqojmë. Mbase na bindin ata ne, mbase i bindim ne.”

Por këto propozime të kryeministrit, opozita nuk preferoi t’i dëgjojë në sallë, pasi braktisi parlamentit menjëherë pas votimit.

“Kërkoni që unë të vija këtu, tani që unë jam këtu për ju, juve po ikni”.

Tashmë i hapet rruga procedurës së betimit në Presidencë të gjithë qeverisë, në mënyrë që ministrat të marrin zyrtarisht detyrat e reja.

Miratimi i qeverisë “Rama 3”, si votuan deputetët

Është zbardhur mënyra se si kanë votuar deputetët e rinj në seancën maratonë të Kuvendit ku u miratua qeveria e re dhe programi i saj politik në mandatin 4-vjeçar.

Pa surpriza nga kampi socialist. Mazhoranca ka votuar në tërësi pro vendimit. Në radhët e opozitës kanë votuar kundër 53 deputetë.

Megjithatë, disa prej aleatëve të Lulzim Bashës që garuan nën siglën e PD-së dhe koalicionit  të tyre në zgjedhjet e 25 Prillit nuk kanë votuar fare, si Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi e Fatmir Mediu.

Gjithashtu Sali Berisha nuk ka votuar fare e bashkë me të edhe Flamur Noka. Këtë alternativë e kanë zgjedhur edhe 3 deputetë të LSI-së me kryetaren Monika Kryemadhi. Mirëpo Agron Çela, që ka dalë nga listat e LSI-së, nuk ka vepruar njëjtë si anëtarët e grupit të tij parlamentar dhe ka abstenuar.

Kush janë deputetët që nuk votuan fare: Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Nustret Avdulla, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Seladin Jakuplltari, Fatmir Mediu, Flamur Noka, Petrit Vasili, Erisa Xhixho.

Deputeti që abstenoi: Agron Çela

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com