15.5 C
Tirana
Saturday, 23 October, 2021

Kush është Gledis Nano, profili i detajuar i 40-vjeçarit që do të drejtojë Policinë

Gledis Nano është drejtori i ri i Policisë së Shtetit, i emëruar në këtë post këtë të mërkurë, pas largimit nga ky post të Ardi Veliut. Por kush është 40-vjeçari, me një karrierë të gjatë e të suksesshme në strukturat e policisë?

“Gledis Nano aktualisht 40-vjeç, ka lindur në qytetin e Shkodrës, me origjinë nga Skrapari dhe i rritur në qytetin e Tiranës. Është diplomuar si një nga oficerët me rezultatet më të larta përgjatë periudhës 1999-2002 dhe ka shërbyer fillimisht si inspektor i krimeve në Drejtorinë e Policisë së Korçës, më pas është zhvendosur si Inspektor i Krimeve në Komisariatin numër 3 Tiranë dhe më pas si shef seksioni i krimeve në të njëjtin komisariat . Më pas për punë të dalluar ai është zhvendosur dhe është emëruar në detyrën e Shefit të Seksionit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe pas një shkëputje disa vjeçare, Nano është emëruar si specialist, dhe më pas shef i Seksionit të Vrasjeve në Policinë e Vlorës, gjatë vitit 2011-2013, vite në të cilat ka pasur dhe rezultatet të larta në kuadër të zbulimit të vrasjeve të bujshme dhe ngjarjeve të forta të ndodhura përgjatë këtyre dy viteve në qytetin e Vlorës”.

Gledis Nano prej 4 vitesh mbante detyrën e Drejtorit të Antiterrorit, detyrë të cilën e mori edhe falë disa operacioneve të suksesshme të vlerësuara veçanërisht nga SHBA.

“Me ndryshimin e pushtetit në 2013 ai është emëruar për pak muaj si shef i Seksionit të Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, më pas si specialist i sektorit të Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe më pas me krijimin e Drejtorisë së Antiterrorit ai emërua si koordinator me partnerët e huaj, pranë kësaj Drejtorie. Me largimin e Agron Stojatit si drejtor i Antiterrorit, ai ka mbajtur për rreth 4 vite tashmë, detyrën e drejtorit të Antiterrorit. Detyrë që iu besua pas disa operacione të suksesshme të cilat janë vlerësuar veçanërisht nga SHBA. Operacione të cilat kanë ndikuar dhe kanë parandaluar disa ngjarje të rënda terroriste të planifikuara më parë.”

Nano ka zhvilluar një kurs disa mujor pranë FBI dhe është një nga oficerët e dalluar edhe në raport me ndërkombëtarët përsa i përket marrëdhënieve me ta dhe bashkëpunimit policor.

“Veçanërisht duhet theksuar fakti që është ndoshta, pas disa vitesh, drejtori i parë i Policisë, i cili njeh shumë mirë policinë Kriminale dhe e njeh atë jo vetëm në funksionin e drejtuesit, por edhe në funksionin e terrenit si inspektor i policisë kriminale”.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com