Kush do ta drejtojë seancën e parë plenare në shtator?

 Kush do ta drejtojë seancën e parë plenare në shtator?

Muaji Shtator pritet të ndezë zjarrin e politikës shqiptare. Seanca e parë plenare do të zhvillohet në 9 Shtator, ndërsa sipas rregullores deputeti më i madh në moshë do drejtojë fillimin e legjislaturës së re.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike, kjo përgjegjësi do i takojë Luljeta Bozos. Në moshën 79-vjeçare, deputetja Luljeta Bozo do të hyjë për herë të parë në Kuvend dhe mbetet për t’u parë nëse do të pranojë që të drejtojë seancën konstituive.

Nëse deputetja socialiste nuk do pranojë ta drejtojë seancën, radha do i kalojë Sali Berishës, i cili në tetor bën 76 vjeç.

Më tej në listën e deputetëve mbi 63 vjeç që mund të drejtojnë seancën e parë, nëse refuzojnë Bozo dhe Berisha, vijon me edhe Tritan Shehun, Dashamir Shehin, Agron Dukën, Fadil Nasufin, Edmond Spahon dhe Ismet Beqirajn.

Përveç Luljeta Bozos, edhe Baftjar Zeqo, Najada Çomo e Zef Hila do të hyjnë për herë të parë në Kuvend pasi i kanë mbushur 60 vjeç.

Në total 18 deputetë janë mbi moshën 60 vjeç, shumica prej tyre me përvojë të gjatë parlamentare, ndërkohë që vetëm dy deputetë do të jenë nën 30 vjeç, të dy prurje të reja politike.

Përkundër këtyre emrave, deputetja më e re që do të ulet në Parlament në këtë sesion do të jetë Andia Ulliri, e cila u zgjodh nga lista e PD në Durrës.

Të ngjashme