Kursi i politikës monetare zbuti pritjet inflacioniste

Përgjatë 2022-it Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë 5 herë, nga niveli 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij.
Në raportin vjetor të depozituar në Parlament, Banka e Shqipërisë del në konkluzionin se kursi i politikës monetare ka ndikuar në zbutjen e pritjeve inflacioniste, ka dhënë një impuls mbiçmues të monedhës dhe ka frenuar rritjen e raportit të kredive me probleme.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kursi i politikës monetare do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë dhe në kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2024.
Efektet e para të reagimit të politikës monetare janë të dukshme në frenimin e rritjes së shpejtë të çmimeve. Pas një rritjeje progresive deri në muajin tetor, inflacioni ka ardhur në rënie.
Inflacioni mesatar i vitit 2022 rezultoi në nivelin 6.7%. Aktiviteti ekonomik u rrit me mesatarisht 4.2% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2022, pas rritjes me 8.5% në vitin 2021. Raporti thekson se konsumi privat regjistroi normën më të lartë të dhjetë viteve të fundit dhe dha mbështetjen kryesore në rritjen ekonomike.
Sipas bankës së Shqipërisë në mungesë të reagimit të politikës monetare norma e inflacionit do të ishte rreth 0.4 p.p më e lartë në vitin 2022,ndërsa kursi i këmbimit të lekut kundrejt euros do të ishte më i nënçmuar.
Parashikimet tregojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.