• 10/06/2023

Kur Balla denonconte në Kuvend skandalin “Luiz Ejlli” dhe përplasej me Topallin (VIDEO)

 Kur Balla denonconte në Kuvend skandalin “Luiz Ejlli” dhe përplasej me Topallin (VIDEO)

Këngëtari Luiz Ejlli është kthyer në kryefjalën e këtij momenti në Shqipëri për shkak të performancës së tij në “Big Brother Vip” duke tërhequr vëmendjen e publikut.

Gjatë eksperiencës së tij në “BBV” ai nuk e ka shmangur dot si gjatë bisedave brenda shtëpisë, por edhe jashtë saj, emërimin e tij si Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris në vitin 2010.

Por, në lidhje me emërimin e tij si diplomat, ka folur kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla që në vitin 2014. Sipas Ballës, Luizi u emërua si Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris me ndërhyrjen e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, pasi në atë kohë vajza e saj shkoi me studime në Francë dhe ishte e fejuar me Luizin. Po ashtu Balla i përmend Topallit dhe emërimin e vëllait të saj si diplomat.

Balla deklaronte nga foltorja e Kuvendit se në CV-në e tij si diplomat, Luizi kishte shkruar se vetëm që ishte këngëtar dhe se kishte fituar Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar.

Sipas socialistit, edhe Festivalin e Këngës, Luizi e ka fituar me ndërhyrjen e Topallit, por ai bën një lapsus pasi përmend vitin 2011, ndërkohë që Luizi e ka fituar Festivalin e Këngës në vitin 2006 dhe në atë kohë ai ka deklaruar se nuk ishte lidhur ende me vajzën e Jozefina Topallit.

Ndoshta Balla e ka ngatërruar me fitimin e Këngës Magjike të cilën e ka fituar në vitin 2010 në duet me Juliana Pashën, por gjithsesi duhet theksuar se Luizi si këngëtar ka një zë brilant dhe nuk besojmë se i është dashur ndërhyrja e Toapllit për të fituar festivalet.

“Ngurove pak në lidhje me emërimet në Ministrinë e Jashtme dhe në Diplomaci, por koha jote ka mbaruar Jozefinë dhe kohë e Saliut po ashtu. Historia e vëllait në konsullatë në Milano dhe të dhëndrit që nuk duhet të linte vetëm gocën në Francë ka mbaruar. Po të doni po e lexoj një listë pa fund: Lorena Gjana, vajza e Jemin Gjanës; Albion Bogdani, vëllai i Gerti Bogdanit, Gjon Çoba, vëllai i Jozefina Topallit; Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë; Sokol Beja, djali i Fatos Bejës; motra e Aleksandër Frangajt, djali i avokatit të Lulzim Bashës, djali i Neritan Cekës, dhëndri i Jozefinës. Se më doli nga mendja pak më parë, në CV-në e vet diplomatike kishte shkruar jam këngëtar dhe kam fituar Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar të vitit 2011, edhe atë e kishte fituar me mik sepse ndërhyu kjo.” – deklaronte në vitin 2014 Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit.

Të ngjashme