-5.5 C
Tirana
Thursday, 27 January, 2022

Kuotimet politike kanë rënë, Basha dhe Rama ‘garë’ për aleancë me qytetarin

Në një kohë kur pagat e mbi 600 mijë qytetarëve shqiptarë kanë dalë sheshit, kur njerëzit shfryjnë përmes rrjetesh sociale lidhur me shumëçka, kur PD po shkon në zgrip për shkak të përçarjes më të madhe që ka pësuar kjo forcë politike qysh prej themelimit, Edi Rama dhe Lulzim Basha po synojnë që të shkojnë pikërisht tek ata; qytetari. Kush më shumë e kush më pak në krijimin e aleancës me ta, në një kohe ku kuotimet politike si për njërin ashtu edhe për tjetrin, (nëse i referohemi sondazheve në rrjetet sociale) kanë shënuar rënie.

Lulzim Basha bëri thirrje në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar që secili prej anëtarëve të atij Këshillit, përfshi edhe atë vetë, t’i drejtohej terrenit në një konsultim të madh kombëtar me qytetarët.

Basha i bashkangjiti kësaj lëvizje edhe një tjetër propozim të përfshire tashmë në statutin e ndryshuar të 18 dhjetorit; ngritjen e një strukture të posaçme, Aleanca Qytetare.

Krijimi i kësaj strukture apo organizate do të shërbejë për afrimin me Partinë Demokratike të intelektualëve të spikatur në shoqëri, por pa qenë nevoja që të jenë anëtarë të kësaj force politike.

Aleanca Qytetare synon të analizojë dhe të japë mendim kritik ndaj politikave, qasjeve dhe nismave të Partisë Demokratike duke ndihmuar partinë të forcojë dialogun dhe debatin konstruktiv me shoqërinë.

PD garanton gjithashtu përfaqësimin e Aleancës Qytetare me 10 % në pozicionet vendimmarrëve ose drejtuese të partisë.

Basha paralajmëroi gjithashtu rikthimin e “KOP”-it Komitetit të Orientimit të Politikave që në vitin 2005 i dha një shtysë të madhe dhe fytyrë të re Sali Berishës që të fitonte zgjedhjet parlamentare.

Edhe kryeministri Edi Rama në formën e tij po synon të fillojë një konsultim me qytetarët, një nismë që e paralajmëroi që dy dite më parë, por që u shty, për shkak të debatit të ditës rreth publikimit të pagave.

“Vendosim në qeveri Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët për vendime të rëndësishme të vitit që po vjen dhe le ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin, jashtë llogoreve të ngushta partiake e llogjeve të mëdha provinciale! Ata s’kanë ç’humbin më ne s’kemi kohë për të humbur!”, komentoi Rama dy ditë më parë në Twitter.

TË NGJASHME

TË FUNDIT