Kthehen lojërat e fatit, qeveria e pranon: Bastet vijuan ilegalisht, ndaj po legalizohen

 Kthehen lojërat e fatit, qeveria e pranon: Bastet vijuan ilegalisht, ndaj po legalizohen

Nisma për legalizimin e basteve sportive synon rikthimin e një aktiviteti që nuk ka ndaluar asnjëherë. Përfaqësuesit e qeverisë në komisionin e ligjeve njoftuan se në katër vite janë ndaluar mbi 4mijë aktivitete të paligjshme të basteve sportive, shifra këto që janë gati identike me numrin e pikave që kanë operuar në territorin e vendit përpara vitit 2018, kur ky aktivitet u ndalua.

“Bastet sportive vijuan që të luheshin në mënyrë jo formale dhe pati një shtrirje dhe ka një shtrirje në territor dhe ka qëllim për të nxjerrë nga informaliteti dhe për ta taksuar. Të gjithë e dimë, të gjithë flasim, kemi shumë informacione por që mbetet jashtë taksimit”, tha Vasilika Vjerro.

Oponenca ligjore në sallën e Komisionit erdhi nga socialisti Fatmir Xhafaj, i cili me laps e letër në dorë ngriti shqetësimin se si do të mund të luftohet informaliteti që ka lulëzuar gjithmonë.

KUSH DUHET TA DREJTOJË PARTINË DEMOKRATIKE?

View Results

Loading ... Loading ...

“Kush na siguron që aktiviteti ilegal nuk do të funksionojë kur lehtësitë për të luajtur janë shumë më të mëdha, ndërkohë ligji jep kritere për ata që luajnë legalisht, por nuk thotë se çfarë do të bëhet me ato që do të luajnë ilegalisht që na detyruan t’i bëjmë legale”, u shpreh Xhafaj.

Opozita nga ana e saj e sheh këtë projektligj si shenja e radhës së korrupsionit qeverisës.

“Këto baste deri dje kanë qenë fizikisht, duhet të shkonte deri diku, sot i keni futur në çdo derë në çdo familje shqiptare. Pra nga krevati, nga dhoma e gjumit çdo qytetar mund të vendosë”, tha Asllan Dogjani.

Shqetësuese për deputetët e maxhorancës ishte e drejta që fitojnë kompanitë e basteve për të reklamuar aktivitetin e tyre në ekipet sportive.

“Ky raporti i financimit të ekipeve nga kompanitë e basteve, kësaj i thonë ti varësh ujkut mëlçitë në qaftë”, tha Ndreca.

“Përtej se çfarë më shikon kështu unë jam një tifoz futbolli edhe mërzitëm shumë kur mendoj se ka gjë të papastër, shiten blihen ndeshje. Sa shans ka që në këndvështrimin tuaj që me përfshirjen e këtyre kompanive që fenomeni i trukimit të ndeshjeve të rritet edhe më shumë?!”, shtoi Xhafaj.

Projektligji që u miratua nga socialistët, do të lejojë vendosjen e basteve sportive nëpërmjet pajisjeve elektronike ndërsa paratë për të luajtur me fatin do të futen nëpërmjet bankave, postës apo zyrave të tjera financiare, kritere këto që për qeverinë shqiptare janë të mjaftueshme për të mbrojtur lojtarët nga abuzuesit.

Të ngjashme