Kryesia dhe Lulzim Basha shkarkojnë 11 kryetarë të degëve të PD

 Kryesia dhe Lulzim Basha shkarkojnë 11 kryetarë të degëve të PD

Kryesia e Partisë Demokratike, e mbledhur nga Lulzim Basha në orën 18:00 ka shkarkuar 11 kryetarë të degëve. Bëhet fjalë për kryetar të degëve në Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Bëhet fjalë për kryetarë të degëve të PD që kanë mbështetur Sali Berishën gjatë Foltoreve dhe që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të zhvilluar këtë të shtunë.

Mbledhja e kryesisë po zhvillohet pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të iniciuar nga Sali Berisha, ku delegatët vendosën që të votojnë me 4446 vota pro për shkarkimin e Bashës, për thyerje të rënda të statutit të PD për marrje të kompetencave. Delegatët votuan po ashtu për shkarkimin e nënkryetarëve të PD-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Partisë.

E teksa u njoh me lajmin që erdhi nga selia blu, Kryetari i Komisionit që drejtoi punimet e Kuvendit të 11 Dhjetorit, Belind Këlliçi, tha se është gabim nëse Kryesia e PD-së ka shkarkuar kryetarët 11 degëve. Sipas Këlliçit kjo nuk i shërben askujt dhe secili prej tyre ka kontribut në PD.

“Është gabim nëse ka ndodhur sepse nuk i shërben as forcimit të PD. Vijon të shkohet nga gabimi në gabim. Më vjen keq nëse ka ndodhur. Ata 11 kryetarë që mund të jenë shkarkuar pak kohë më parë nuk mohohet që kanë kontribut në PD. Është absurde se kujt i shërben kjo hajde merre vesh”, tha Këlliçi.

Masa për këta kryetarë të degëve u paralajmërua një ditë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Të ngjashme