Kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ka dhënë dorëheqjen nga funksionet e tij në parti.
Lajmin e bëri të ditur Lulzim Basha në një mbledhje të Këshillit Kombëtar, ku zoti Rushaj nuk ishte i pranishëm.
Basha tha se kishte rënë dakord me Rushajn që vendin e tij ta zinte Enkelejd Alibeaj, por ai nuk shpjegoi arsyet e largimit.
Mësohet se vendimi për të lënë funksionet në Partinë Demokratike ka qenë i vetë zotit Rushaj dhe se arsyet lidhen me përjashtimet e fundit nga partia të një numri të madh deputetësh dhe paralajmërimeve për përjashtim të disa të tjerëve.
Mospajtimi me këto përjashtime dhe kriza e brendshme në Partine Demokratike thuhet se janë shkaku i dorëheqjes së Rushajt.
Deri tani vetë ish-kreu i grupit parlamentar nuk ka bërë asnjë koment dhe nuk dihet ende nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në Partinë Demokratike, në ndonjë detyrë a projekt tjetër, siç deklaroi Basha në Këshill.
Por dorëheqja e tij nga fuksionet drejtuese është një tjetër goditje për Partinë Demokratike.
Në Këshill Basha zëvendësoi edhe disa nga të përjashtuarit e tjerë. Nënkryetar i Kuvendit dhe i partisë do të jetë Agron Gjekmarkaj.
Grida Duma në krye të Komisionit të Shëndetësisë në vend të Albana Vokshit, Flutura Açka do të marrë drejtimin e Komisionit të Arsimit, nënkryetare e Komisionit të Ligjeve në vend të Oerd Bylykbashit, do të jetë Dhurata Çupi.
Një detyrë i është caktuar edhe Xhelal Mziut, si sekretar i buxhetit.