Kriza e energjisë, Basha: Në verë zbrazën kaskadën e Drinit, tani marrin borxh për ta blerë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzon qeverinë për menaxhimin e sistemit energjetik.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha se u mor vendimi që në verë të zbrazej Kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia.
“Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës, jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur vendin janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike, por korrupsioni që ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej Kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria e Shqipërisë. Pra e shitën 60-70 mln euro dhe do ta blejnë 220 milionë euro.
Që ta blejnë do të duhet të marrin borxh, ta nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve, kjo është arsyeja që nuk është krizë energjetike, por korrupsioni. Në një vend normal nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht, te drejtuesit Çela e etj, duhet të ishin të pandehur. Por ndërkohë që presim që drejtësia të mos zdërhallet tapeve të kuq në Tiranë, por të bëjnë detyrat e tyre para shqiptarëve, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Kjo javë do të vazhdojë me një ofensivë. Kjo krizë po përkthehet në një rritje çmimesh të gjithanshme”, tha ai.