15.5 C
Tirana
Saturday, 23 October, 2021

Kosova refuzon zyrtarisht gazsjellësin amerikan

Kosova refuzoi të marrë pjesë në projektin e ndërtimit të një linje gazi që e lidh atë me Maqedoninë e Veriut. Të enjten ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se qeveria nuk do të çojë përpara projektin, i cili është propozuar nga korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Në një konferencë të shkurtër për mediat, ajo tha se Kosova ka nevojë për më shumë informacion për të qenë më e sigurtë se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik.

Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC-ja, ne kemi vendosur të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e Kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, tha ministrja Rizvanolli.

Qeveria ka diskutuar për disa muaj me radhë me përfaqësuesit e korporatës amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit për këtë çështje.

Ditë më parë, një zëdhënës i ambasadës amerikane tha “se një faktor thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike” dhe se “qeveria amerikane po punon me qeverinë e Kosovës për zhvillimin e projekteve të propozuara”.

Korporata kishte përcaktuar një shumë prej afro 200 milionë dollarësh për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës, ndërsa, pjesa më e madhe e financimit të projektit “do të bëhej nga fondet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”.

Opozita në Kosovë i bëri thirrje qeverisë që të shfrytëzojë projektin amerikan.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com