Konfirmohet vdekja e 4 shqiptarëve në Greqi, pritet përgjigja e ADN për një tjetër të zhdukur

Identifikohen trupat e 4 shqiptarëve, që rezultonin deri më sot të pagjetur në atë që konsiderohet si aksidenti më tragjik hekurudhor në historinë e Greqisë. Siç njoftohet edhe nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, analizat e ADN-së të kryera nga autoritetet greke konfirmuan se mes 57 viktimave të tragjedisë janë Ifigjenia Micka, Klaudia Lato, Pavlin Bozo dhe Jonais Xhollas.
Një tjetër shqiptar rezulton i zhdukur, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme. Sipas mediave greke, deri më tani janë identifikuar 54 nga 57 viktimat e tragjedisë në total.
Ekspertët thanë se nevojiten mostra të reja nga trupat e të paidentifikuarve për të kryer ekzaminimin nga e para. Dy shqiptarë të tjerë të moshave 23 dhe 25 vjeç janë në listën e 22 të plagosurve. Njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë sëbashku me 4 të tjerë në reanimacion.
Mediat greke publikuan këtë të Shtunë, historinë e trishtë të 22-vjeçares shqiptare Klaudia Lato. Natën e aksidentit hekurudhor, ajo po kthehej në Selanik, ku vazhdonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte një nxënëse e shkëlqyer.
Klaudia kishte vizituar prindërit e saj që jetojnë në një fshat të Larisës dhe para se të merrte trenin, gjatë ndarjes me prindërit, mediat shkruajnë se ata i kishin thënë “ndalu të të shohim”. Vajza ishte lindur në Larisë, ndërsa prindërit i kishte shqiptarë.