Kina humb “Dragoin e Egër”, avioni luftarak modern bie në xhunglën e Myanmarit

Rebelët pretendojnë se kanë rrëzuar disa helikopterë dhe aeroplanë deri më tani, por shpesh mungon konfirmimi i pavarur për shkak të terrenit të izoluar.

Një avion luftarak JF-17 Thunder, i operuar nga ushtria e Myanmarit, u rrëzua të martën në Pale Township, në veriperëndim të vendit, në rajonin Sagaing.

Ky është sulmi i fundit në një seri sulmesh serioze ndaj aftësive ajrore të juntës ushtarake, pasi forcat anti-regjim vazhdojnë të përdorin armë anti-ajrore gjithnjë e më të përparuara.

Sipas raportimeve, avioni u godit nga një raketë e lëshuar nga një sistem mbrojtës ajror portativ (MANPADS), me shumë mundësi i prodhuar në Kinë. Pamjet që qarkulluan në kanalet lokale treguan mbetjet e avionit duke u djegur në një zonë rurale dhe luftëtarët duke festuar rrëzimin.

JF-17 Thunder, i zhvilluar bashkërisht nga Pakistani dhe Kina, formon shtyllën kurrizore të forcës ajrore luftarake të Myanmarit. Ky avion shumërolësh i gjeneratës së katërt është i aftë për misione përgjimi, sulme ndaj objektivave tokësore dhe detare, si dhe për zbulim.

Myanmari bleu 11 prej tyre midis viteve 2018 dhe 2021, duke besuar se ato do t’i jepnin një avantazh kyç taktik.

Grupet rebele, duke përfshirë ushtritë etnike si Ushtria e Pavarësisë së Kachin (AKI) dhe Forcat e Mbrojtjes Popullore (PDF) të sapoformuara, gjatë tre viteve të fundit kanë forcuar ndjeshëm aftësitë e tyre, si në numrin e luftëtarëve ashtu edhe në armët në dispozicion.

Rrëzimi i JF-17 Thunder vjen në mes të humbjeve në rritje për forcën ajrore të ushtrisë në konflikt, i cili ka vazhduar për më shumë se tre vjet.

Ushtria besohet se ka humbur të paktën pesë helikopterë dhe katër avionë luftarakë që nga fillimi i konfliktit. Megjithatë, shumë nga pretendimet për rrëzime të bëra nga rezistenca janë të vështira për t’u verifikuar, për shkak të kufizimeve të rrepta në aksesin e gazetarëve dhe faktit se shumica e luftimeve zhvillohen në pjesë të largëta dhe të vështira për t’u arritur të vendit.

JF-17, i njohur edhe me emërtimin kinez FC-1 Xiaolong (“Dragoi i Egër”), u zhvillua si një opsion i përballueshëm për vendet që duan aftësi moderne luftarake me kosto relativisht më të ulëta. Ai është i pajisur për të mbajtur një gamë të gjerë armësh, duke përfshirë raketa ajër-ajër dhe ajër-tokë, bomba të drejtuara dhe një top 23 mm. Shpejtësia e tij maksimale është rreth 1.6 Mach.

Mund të thuhet gjithashtu se pati një farë suksesi si produkt eksporti, pasi, përveç Pakistanit, e përdorin edhe Myanmari, Nigeria, por edhe Azerbajxhani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *