Kandidatja e PD në Fier, ‘rekord’ votash pa meritë/ Braho: Do shqyrtojmë grupet e numërimit, më pas…

Anëtari i KAS, Ledio Braho, nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” ku po rinumërohen votat e qarkut të Fierit, tha se mund të bëjnë kallëzim penal për grupet e rinumërimit që i kanë shtuar në bllok vota kandidates së PD-së, Silva Hasaj, e cila deri më tani rezulton se deri më tani ka marrë 597 vota të pamerituara.

Në një intervistë, Braho theksoi se së pari do të shqyrtojnë elementët e nevojshëm dhe më pas do të shohin nëse do të procedojnë me kallëzim penal për rastin në fjalë. Në Tiranë, tha ai, nuk kishte lëvizje të tilla që mund të konsideroheshin si penale.

“Do të shihet rasti i grupit të numërimit nëse janë grupe rinumërimi të njëjta që kanë bërë këto lëvizje apo janë të ndryshme. Por megjithatë kur votat janë në nivele të tilla, çështja duhet parë më në themel. Ne patjetër që do bëjmë ato verifikimet tona me aq sa kemi mundësi nga ça del nga kutitë e fletëve të votimit. Por që të arrijmë një rezultat, duhet të kemi emrat e grupit të numërimit, duhet të shohim kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, janë një sërë elementësh që ne do të kërkojmë informacion të mëtejshëm që të kryhet edhe nëpërmjet KQZ dhe në varësi të saj, pastaj do të ketë një qasje nëse do të procedohet me kallëzim penal apo jo. Por duhet të kemi parasysh që tabela e rezultateve nuk është një gjë që është një informacion konfidencial që e ka vetëm KAS apo vetëm komisioneri. Është informacion publik, prokuroria e Fierit i ka të gjithë mundësitë që të nisë.”, u shpreh Braho.

I pyetur se përse KAS nuk ka marrë ende një vendim për qarkun e Elbasanit, ku PD pretendon se ka pasur tren bullgar, Braho theksoi se do ta shqyrtojnë pasi të mbyllin procesin e rinumërimit. Sipas tij, kur u bë verifikimi i materialeve zgjedhore, PD nuk kërkoi rinumërim, duke shtuar se nuk beson se do të bëjë një kërkesë të tillë tani, duke parë edhe rezultatet e Tiranës dhe të Fierit.

Sipas tij, nuk ka pasur shtysë nga partitë drejt numëruesve për trafikimin e votave.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *