
Sokol Topçiu, pronari i “FarmaNet” ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit si pjesë e grupit të kontabandës së ilaçeve që u finalizua pak ditë më parë.
Topçiu, i cili njihet si administrator i një rrjeti farmacish nën emrin “FarmaNet” është prangosur gjatë operacionit ‘Përfitimi’.
Topçiu, 57 vjeç akuzohet se ka shitur mijëra ilaçe kontrabandë gjatë periudhës së pandemisë.
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest me burg” edhe për 6 farmacistët.
Të arrestuarit dy ditë më parë, akuzohen se shisnin ilaçe kontrabandë gjatë periudhës së pandemisë së Covid në Shqipëri.
Pas një hetimi 10 mujor të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, u bë i mundur arrestimi i shtetasve:
- Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
- Florian Marku, 39 vjeç, administrator i një farmacie;
- Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë;
- Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh;
- Florian Lila, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
- Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë- Vijon operacioni “Përfitimi”. Kapet dhe vihet në pranga 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, finalizuar me datë 08.10.2021, nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 6 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të operacionit, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe sherbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit S. T, 57 vjeç, administrator i një rrjeti farmaceutik. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë. Vijon puna për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i paisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.