01/02/2023

Fatmir Laçej, nënkryetar i Dhomës Kombëtare të Noterëve, ka bërë së fundmi një reagim publik në lidhje me emisionin që u transmetua në “Top Channel” për Luiz Ejllin, i cili bëri bujë madhe, pasi sipas transmetimit në Fun Club, këngëtari i kishte kërkuar Dhomës së Noterëve 2 milionë lekë të vjetra për t’u kuruar.

Në një shkrim në profilin e tij në rrjetet sociale, ku ka sqaruar arsyen e vërtetë se pse iu hoq licensa e noterit Luizit, Laçej thekson se intervista ka qenë shumë më e gjatë nga sa u transmetua:

“Të dashur fansa të Luizit… E ndjej të domosdoshme të bëj një sqarim. Qëllimi im në intervistën e dhënë ka qenë pozitiv. Të nxjerr në pah vlerat e Luizit dhe të sqaroj marrëdhëniet e tij me ushtrimin e profesionit të noterit. Në intervistën time kam theksuar se në momentin e ndarjes së licencave në Ministrinë e Drejtësisë kam dhënë disa porosi për të gjithë të licensuarit. Të gjithë i pritën mirë por ishte Luizi që më ndaloi dhe më përgëzoi e falenderoi për këshillat e dhëna dhe në sytë e këtij djaloshi unë pashë entuziazmin, pasionin e përgjegjësinë për detyrën e re që po merrte. Po ashtu kam theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës, Luizi si noter nuk ka pasur aspak probleme. Kam sqaruar se Luizit i është hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë vetëm për faktin se për një periudhë të përsëritur 60 ditore nuk e ka mbajtur zyrën hapur, gjë e cila është në kundërshtim me nenin 63 të ligjit ” Për Noterinë”. Po ashtu kam theksuar se në komunitetin tonë ne kemi shquar Luizin si një djalë simpatik që ndjellte gëzim në çdo mjedis tonin. Intervista ime ishte e gjatë me pyetje përgjigje dhe nuk e kuptova përse ishte reduktuar ne 2 – 3 fjali dhe për më tepër në vazhdim të qëndrimit të intervistës së dhënë nga i intervistuari i mëparshëm. Është e drejtë e redaksisë së televizionit të reduktojë intervistën, ashtu siç është e drejta ime ta paraqes atë ashtu siç e kam dhënë.”, përfundon postimi i noterit.

Historia e sëmundjes së Luizit, të cilën ia rrëfeu Kiarës, u rikthye në vëmendje sërish të dielën. Në “Big Brother Fun Club”, dy noterët, Artan Treska, ish-kryetar i Dhomës së Noterëve të Tiranës dhe Fatmir Laçej, nënkryetar i Dhomës Kombëtare të Noterëve, kanë rrëfyer për këtë emision se si dikur Luizit, që punonte pranë Dhomës së Noterëve Tiranë, i është hequr licenca e noterit në vitin 2021.

Sipas tyre përmes një kërkese zyrtare, këngëtari rreth dy vite më parë ka kërkuar lekë nga Dhoma e noterisë dhe ka përfituar një fond prej 2 milion lekësh të vjetra.