01/02/2023

Tërmeti 4.5 i shkallës Rihter që ra të dielën në darkë në Lezhë kaloi pragun e ndjeshmërisë. Nëndrejtori i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë dhe Ujit, Edmond Dushi thotë se tërmeti me një thellësi 20 km ishte i cekët prandaj edhe u ndje  nga banorët në zonën e Lezhës, Tiranës dhe Durrësit.

“Tërmeti u lokalizua në zonën e Lezhës, magnituda 4.5 i shkallës Rihter. Ka kaluar pragun e ndjeshmërisë, prandaj u ndje por jo pragun e dëmtueshmërisë. Fakti që ka qenë i cekët e ka bërë më efektiv në kuptimin e ndjeshmërisë”.

Sipas sizmologut Edmond Dushi, tërmeti i Lezhës i përket të njëjtës sonë sizmike të tërmetit të 26 Nëntorit, por aktualisht në zonë nuk ka aktivitet sizmik.

“Ne mund të themi tërmeti i Durrësit ka një kontakt tektonik me zonën e Lezhës në jug-perëndim të Shqipërisë, janë thyerje tërthorë kjo mund të ketë një lloj logjike sepse tërmeti i 26 Nëntorit ishte madh dhe ka sforcuar të gjitha zonat përqark. Janë në të njëjtën zonë sizmogjene, i përkasin zonën adriatike dhe kanë lidhje mes tyre. Nuk kemi aktivitet sizmik në këtë zonë. E gjithë zona ka thyerje tektonike, por kjo nuk tregon që po presim në ngjarje”.

Tërmeti në Lezhë ka shkaktuar probleme vetëm tek ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Probleme janë krijuar vetëm tek ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit pasi ende nuk është ndërhyrë për rikonstruksion, janë në monitorim të vazhdueshëm”

Territori shqiptar njihet si një territor i copëtuar tektonik. Më 21 Shtator një termet me magnitudë 3.7 Rihter ra në Klos në të njëjtën orë me 21 Shtatorin 2019, por sizmologët thanë se nuk kishin lidhej me njëri-tjetrin.