Kryeministri Edi Rama teksa i është përgjigjur kreut të opozitës për shifrat e buxhetit të vitit 2022, ka hedhur akuza se deputetet e PD nuk kanë lidhje me shifrat.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se kreu i opozitës i merr shifrat si balonat tabake, por kjo frazë ka acaruar deputetët e PD që ndërhynë nga vendi.
Edi Rama: E keni idenë sa është buxheti i shtetit për të kompensuar buxhetin e shtetit për familjet në nevojë? E keni idenë, kot për kuriozitet? Ku është ai i Shkodrës se ai i di shifrat, paska ikur. Ju të tjerët s’keni lidhje me shifrat. 206 mijë familje, zotëri, 206 mijë familje në këtë buxhet paguhen 45 milionë dollarë që çmimi i energjisë elektrike atyre t’iu rrijë 7.7. Kuptuat ju? Edhe kjo është pjesë e mbrojtjes sociale. Tani edhe e fundit fare, meqë i qani hallin bujqve ju, bujqësisë dhe atyre që kanë dalë atje. Ça ka ndodhur këtu, meqë përmendi Serbinë? Sa e ka, kot për kuriozitet, Lulzim, hajde thuaje këtu, sa e ka Serbia TVSH-në e produkteve bujqësore, hajde thuaje këtu, ti që e di Serbinë, ti që e di Malin e Zi. Hajde thuaje këtu sa e ka, ti që di Kosovën, hajde këtu sa e ka, ti që di Maqedoninë, hajde thuaje këtu tani sa e ka ose pyet atë që ke në krah se ajo t’i jep shifrat ty, megjithëse t’i jep si balonë tabake, hajde thuaje këtu.
Gazment Bardhi ndërhyn nga vendi: Ruaj etikën, ç’a është kjo punë kështu.
Edi Rama: S’kam punë me mbiemrin fare unë. Nuk kam lidhje me mbiemrin fare, flas për balonat. Nuk kam lidhje fare me mbiemrat, këtë e keni stil ju.
Gazment Bardhi: Ruaj etikën.
Edi Rama: Mos më ndërprisni, ju kam thënë mos më ndërprisni. Asnjë problem etik s’ka këtu, balonat janë objekte me të cilat kemi luajtur kur kemi qenë të vegjël. Ka pasur tauke, ka pasur tabake. Tabake ishin niveli më i lartë se tauke ishin e përgjithshmja, kështu që është kompliment në njëfarë mënyre nëse ju e merrni për personin, unë s’kam lidhje me personat fare.