• 10/06/2023

Humbja e opozitës, Rama: Disfatë skandaloze e atyre që kanë marrë peng të djathtën shqiptare

 Humbja e opozitës, Rama: Disfatë skandaloze e atyre që kanë marrë peng të djathtën shqiptare

Nga Dibra, ku vijoi këtë të hënë turin e falenderimeve, Rama tha se për herë të parë shqiptarët votuan me mend e jo me tifozllëk, duke mos e ndyer dorën, sipas tij, tek një koalicion që ka ngrënë shuplakën më të rëndë ndonjëherë. Për herë të parë tha Rama harta elektorale është ajo e një Shqipërie që nuk është e ndarë.

“Përveç gjithë atyre që votuan, dua të falenderoj edhe ata tjerët që nuk e kapërcyen dot ylberin, kur i thonë fjalës, por edhe nuk dolën të votojë. Ata që i thonë vetes të djathtë, ata që kanë një histori në familjen e tyre e cila i pengon ta shikojnë të majtën, ta shikojnë PS, qendrën e majtë si alternativë, megjithatë, në respekt të vetes, të familjes, të historisë së tyre familjare, ku ka plot drama, madje dhe tragjedi, njerëz të humbur, të zhdukur, të burgosur, nuk e ndyen dorën për të vënë votën tek një koalicion që ka ngrënë shuplakën më të rëndë ndonjëherë, nga shqiptarët që u bënë bashkë. U bënë bashkë duke votuar, ose duke mos votuar, por ama kishin një drejtim. Dhe unë dua shumë të besoj, dhe të shpresoj dhe patjetër do të bëj çdo përpjekje që është në dorën time, patjetër që do kërkoj që të gjithë ata që janë bashkë me mua, bashkë me ne, të bëjnë çdo përpjekje që është në dorën e tyre, që ajo harta elektorale, e cila për herë të parë është harta e një Shqipërie që nuk është e ndarë, të mos e jetë e tillë dhe për herë të fundit, jo sepse duhet që gjithmonë që e gjithë Shqipëria të votojë PS, në asnjë mënyrë nuk them këtë. Por duhet që ne ta shtyjmë përpara këtë vend, këtë shoqëri, që të votojë gjithmonë e më shumë me mend e jo me tifozllëk. Që të votojë gjithmonë e më shumë duke kërkuar llogari dhe duke ngarkuar përgjegjësi”.

Shprehet i bindur se disfata siç e cilësoi “monumentale dhe skandaloze” e dy njerëzve që kanë marrë peng të djathtën, sipas kryeministrit, do ta përshpejtojë procesin e ringritjes së opozitës. Merita për këtë theksoi Rama është e atyre që nuk dolën të votojnë.

“Unë jam i bindur, mund të duket si absurditet, por jam i bindur që kjo disfatë monumentale, skandaloze, e atyre që kanë marrë peng të djathtën shqiptare, opozitën shqiptare, dhe e cila nuk është disfata e të gjithë njerëzve që mendojnë ndryshe nga ne, nuk është disfata e të gjithë njerëzve që besojnë në zgjedhje të tjera, por është disfata e një grushti njerëzish, e dy njerëzve dhe e një rrethi të verbërish rreth tyre, do ta përshpejtojë pa diskutim dhe procesin e rilindjes, të ripërtëritjes, të ringritjes edhe të opozitës. Sepse më keq nuk ka, po nëse do të ketë dhe më keq, akoma më shpejt do të vijë dita kur do të normalizohet jeta politike. Dhe për këtë meritën kryesore e kanë pa diskutim ata të cilët nuk dolën të votojnë”.

Të ngjashme