01/02/2023

Historia e Giuseppina Giuliano është shumë e veçantë. 29-vjeçarja napolitane udhëton çdo ditë nga Napoli në Milano për të punuar si pastruese në një shkollë të mesme. Për këtë, ajo duhet të ngrihet në orën 3:30 të mëngjesit për të kapur një autobus për në stacion, ku merr një tren të shpejtësisë së lartë në orën 5:09 të mëngjesit, për të arritur në Milano pas katër orë e gjysmë udhëtim.

Në orën 10:30 ajo fillon ditën e saj të punës dhe kur mbaron, kthehet në shtëpi duke ndjekur të njëjtën rrugë, por në drejtim të kundërt. Në orën 17:00 del nga instituti, blen diçka për të ngrënë dhe në orën 18:20 hipën në trenin për në Napoli.

Ajo mbërrin në shtëpi në orën 23:30 dhe mund t’i lejojë vetes vetëm disa minuta me familjen, sepse të nesërmen udhëton 1600 kilometra vajtje-ardhje për në punë.

Pavarësisht se prej shtatorit ka një kontratë të përhershme në vendin e punës, Giuseppina ka preferuar të vazhdojë këtë jetë “ekstreme”, pasi thotë se nuk ka zgjidhje tjetër. Ajo u përpoq të gjente një banesë në Milano që mund ta përballonte me pagën e saj, që është rreth 1100 euro, por edhe garsonieret nuk i gjeti me më pak se 650 euro në muaj. Kjo e bëri të arrinte në përfundimin se vajtja dhe kthimi me tren çdo ditë ishte më me leverdi sesa të jetonte me qira në Milano. Ndërkohë, treni i kushton 400 euro në muaj.

Giuseppina vendosi të bënte këtë mënyrë jetese tani që është e re, pasi ka pranuar për gazetën “Il Giorno” se nuk do të vazhdojë kështu gjithmonë, pasi me kalimin e moshës do ta ketë më të vështirë.

Rasti i saj është bërë i njohur në Itali, aq sa nga instituti ku punon po përpiqen t’i gjejnë strehim.