GJL sqaron votimin për anëtarin e Kushtetueses: Sulmet ndaj nesh synojnë intimidimin e gjyqësorit

Në një reagim të gjatë zyrtar, Gjykata e Lartë, ka bërë sot, 17 tetor, një sqarim lidhur me mbledhjen e posaçme të GJL-së më datë 30 shtator 2025, për zgjedhjen e gjyqtarit të Kushtetueses, Asim Vokshi.

Kujtojmë se në përfundim të votimit atë ditë, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se: Asim Vokshi mori 6 vota, Naureda Llagami 8 vota ndërsa Florian Ballhysa nuk siguroi asnjë votë.

Duke qenë se asnjëri prej tyre nuk arriti 3/5 e votave, u vendos që Vokshi të zëvendësojë Holta Zaçajn, pasi në këtë rast ligji parashikon se fitues shpallet kandidati i renditur i pari me pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. (Vokshi kishte 89.5 pikë)

Kështu, në reagimin e saj, GJL thotë se nuk përfshihet në gjuhën e përbaltjes, që ka si synim intimidimin e gjyqësorit.

Institucioni nënvizon se procedura e zhvilluar është kryer “në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret në fuqi”, ndërsa thekson se çdo hap i procesit është dokumentuar zyrtarisht dhe miratuar unanimisht nga 15 gjyqtarët pjesëmarrës.

Sipas Gjykatës së Lartë, pavlefshmëria e një prej fletëve të votimit është vendosur “për shkak të shënimeve që cenonin fshehtësinë e votës”, një standard i detyrueshëm ligjor dhe jo çështje interpretimi.

Gjykata deklaron gjithashtu se ka qenë plotësisht transparente, duke i vënë në dispozicion Naureda Llagamit të gjithë dokumentet dhe regjistrimet audio të mbledhjes.

“Nëse sot ekziston një regjistrim publik, kjo ndodhi sepse vetë Gjykata e dha aksesin, jo sepse diçka u zbulua”, sqaron institucioni.

Në fund, Gjykata e Lartë shprehet se “nuk ka asgjë për t’u justifikuar”.

“Ne nuk reagojmë me zemërim, por me dinjitet; nuk kundërpërgjigjemi me fjalë, por me ligj dhe fakte. Gjykata e Lartë do të vazhdojë të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e publikut në drejtësi“, thuhet në mbyllje të reagimit.

Theksojmë se Asim Vokshi do të përfundojë vetëm mandatin e mbetur të Holta Zaçajt, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese do të nisin menjëherë pas këtij emërimi.

Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor të 2024-ës për mbarimin e mandatit të kryetares Zaçaj. Ky vendim i dha fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte hapur garën për zëvendësimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *