Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Kryqi” në Elbasan, në rrugën e vjetër Elbasan-Tiranë.
Një person është gjetur i pajetë brenda një makine të djegur. Deri më tani viktima nuk është identifikuar.
Policia ka njoftuar se mbeten mister arsyet që kanë çuar në djegien e makinës tip “Volkswagen”.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj. Atje ka shkuar edhe drejtori i policisë së Elbasanit, Ardian Çipa.
Gazetari Fatos Salliu tha se policia është njoftuar pasi mjeti ka qenë pothuajse i shkrumbuar. Sipas gazetarit duke u nisur nga rrethanat hetuesit kanë disa pista për ngjarjen, por dy prej tyre mbeten kryesore.
Sipas gazetarit mund të jetë një zjarr aksidental dhe personi nuk ka mundur që të dalë, por nuk përjashtohet edhe pista e vrasjes.
Elbasan/Informacion paraprak
Më datë 04.02.2022, rreth orës 22:30, në vendin e quajtur “Kryqi” në rrugën e vjetër Krrabë, në rrethana ende të paqarta ka marrë flakë një automjet tip “Volkswagen”, ku në brendësi të mjetit ka një person të pajetë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe indentifikimin e personit të pajetë.