Gati për luftë? SHBA dërgon grupin e dytë sulmues në Mesdhe, luftanije dhe avionë F-A18

Mesazhin e dhënë nga Antony Blinken për të gjitha shtete, se Amerika do të mbrojë me çdo kusht Izraelin, SHBA-të duket se kanë nisur ta kthejnë në mision, pasi në drejtim të Mesdheut Lindor kanë nisur një luftanije të dytë.

Pasi dërguan një javë më parë në ndihmë të aleatit të tyre, një grup sulmues të udhëhequr nga luftëanija më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford me vlerë 18 miliardë dollarë, një grup i dytë është nisur drejt rajonit të përfshirë në tensione.

Me urdhër të Pentagonit është nisur drejt Mesdheut Lindor gupi sulmues USS Dwight D. Eisenhower, i cili u dislokua të premten nga Norfolk, Virxhinia.

Aeroplanmbajtësja fillimisht ishte vendosur të lundronte për në ujërat e Komandës Evropiane të SHBA, por duke parë ndezjen e konfliktit midis Hamasit dhe Izraelit, ajo do të stacionohet shumë pranë bazës së konfliktit.

Nisjen e grupit të dytë sulmues nga Amerika e ka njoftuar Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin. Ai ka sqaruar se anijet luftarake amerikane nuk kanë për qëllim t’i bashkohen luftimeve në Gaza ose të marrin pjesë në operacionet e Izraelit, por prania e dy prej anijeve më të fuqishme të marinës do të përdoret për t’i dërguar një mesazh parandalues Iranit, që ka kërcënuar me përfshirje në konflikt, por edhe Hezbollahut në Liban.

“Lëvizjet janë pjesë e përpjekjeve tona për të penguar veprimet armiqësore kundër Izraelit ose çdo përpjekje drejt zgjerimit të kësaj lufte pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit“, tha Austin.

Eisenhower, i cili është flamuri i grupit të sulmit transportues, do të përbëhet përveç luftëanijes edhe nga një kryqëzor me raketa të drejtuara dhe dy shkatërrues raketash të drejtuara.

Luftanija në fjalë mund të mbajë më shumë se 60 avionë, përfshirë këtu avionë luftarakë F/A-18, ndërsa USS Gerald R. Ford mund të mbajë shumë se 75 avionë.

Por, pavarësisht se administrata Biden e ka bërë të qartë se forcat amerikane të marinës nuk janë në Mesdheun Lindor për t’u përfshirë në aktivitete luftarake në emër të Izraelit, CNN ka mësuar se Njësia e 26-të e Ekspeditës Detare (një forcë e reagimit të shpejtë e aftë për të kryer operacione speciale) po bën përgatitje në rast se urdhërohet për të forcuar qëndrimin e forcave të SHBA-së në Izrael.

Njësia, e cila ndodhet në bordin e anijes sulmuese amfibe USS Bataan, përbëhet nga më shumë se 2,000 marinsa dhe marinarë dhe do të jetë në gjendje të mbështesë një evakuim në shkallë të gjerë. Ndër detyrat thelbësore të misionit për një Njësi Ekspeditore Detare janë operacionet e evakuimit dhe ndihma humanitare.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të SHBA-së Qendrore njoftuan të shtunën vendosjen e avionëve luftarakë F-15E dhe avionëve sulmues A-10 në rajon.

“Lëvizja e avionëve luftarakë nga skuadra luftarake e 494-të dhe skuadra luftarake e 354-të e ekspeditës, forcon qëndrimin e SHBA-së dhe përmirëson operacionet ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme“, thuhet në një deklaratë të Forcave Ajrore.

Një postim i Komandës Qendrore të SHBA-së në mediat sociale tha se A-10 do të bashkohet me një skuadrilje tjetër të avionëve tashmë në rajon, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes Austin tha se në rajon janë vendosur edhe avionë luftarakë F-16.

“Duke vendosur avionë luftarakë të avancuar dhe duke u integruar me forcat e përbashkëta dhe të koalicionit, ne po forcojmë partneritetet tona dhe po forcojmë sigurinë në rajon”, tha në një deklaratë Alexus Grynkewich, komandanti i 9-të i Forcave Ajrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com