Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se firmat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar nuk janë dorëzuar në Partinë Demokratike.
Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Bardhi u shpreh se Edi Paloka nuk është shef protokolli i Partisë Demokratike, duke iu referuar faktit se firmat u mbyllën në kasafortën e zyrës së Palokës, në cilësinë e kreut të Këshillit Kombëtar.
“Nuk janë dorëzuar në Partinë Demokratike. Nuk di që Paloka të jetë shef i zyrës së protokollit në PD. Dua të konfirmoj është që unë kam bindjen që Sali Berisha e di shumë mirë procedurën statutore se si mblidhet Kuvend, si bëhet verifikimi i mandateve, kush është organi që e thërret.
Ajo që kemi parë gjatë këtyre 2 muajve ka qenë një blof që ka konfirmuar atë informacion që unë kisha që Berisha nuk ka arritur të mbledhë ¼ e firmave. Do duhet t’i sjellin firmat për verifikim. Nuk ka kërkesë për thirrje kuvendi. Është luajtur një blof që në fakt është një tallje e madhe që u është bërë demokratëve për fat të keq”, është shprehur Gazment Bardhi.