• 27/03/2023

Është njeriu i rusëve apo i amerikanëve? Ikja e Bashës nga PD dhe akuzat e ‘ish-babait’ pa alibi

 Është njeriu i rusëve apo i amerikanëve? Ikja e Bashës nga PD dhe akuzat e ‘ish-babait’ pa alibi

Largimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i opozitës nuk ishte asnjë risi, përkundrazi, po të mos kishte ndodhur, do të përbënte njërën nga çuditë e politikës shqiptare. E habitshme është se si qëndroi drejtues i PD-së për thuajse 9 vite, kur, në asnjë rast, nuk mund të kishte një gjë të shënuar në jetën e tij politike. Gjithnjë tek ai përshtypja e parë ka qenë nga trembja, si një njeri që fsheh pas mantelit dhe buzëqeshjes së tij diçka të frikshme, dhe, e dyta, nga deliri i madhështisë, si ata që ia kanë hipur kalit prapësht dhe mendojnë se kanë bërë diçka të pazakontë dhe duhet të duartrokiten. Asnjëherë politika shqiptare e partive të mëdha nuk ka pasur në drejtimin e saj një figurë të tillë, që, edhe pse ishte kalli bosh, në të njëjtën kohë ishte përfitues i tmerrshëm. Pas familjes kryeministrore të partisë së tij , askush tjetër nuk e ka shfrytëzuar postin kaq barbarisht dhe, në të njëjtën kohë, kaq pa mend se sa ai.

Çfarë fshihte Lulzim Basha? Përse, edhe kur kërcënonte, ai dukej si njeriu që ishte i trembur, që priste në çdo kohë të shfaqej enigma e ardhjes së tij në politikë, të zbulohej misteri që e rrethonte dhe, në të njëjtën kohë priste kërcënimin e dekonspirimit?

Basha erdhi në politikë nga një derë që nuk është mbyllur kurrë në Shqipëri dhe që vazhdon të jetë e hapur në politikën shqiptare: nga politika serbe. Duam ose jo ta pranojmë, kjo derë vazhdon të jetë e pranishme për të gjithë ata që janë lehtësisht të nënshtruar dhe që në rrugëtimin e rinisë së tyre, ose edhe pak më vonë, kanë lënë shenjat e nënshtrimit nga lakmia e pasurimit të shpejtë dhe mungesa e karakterit. Fazlliçi ishte nuni i parë i tij, loja me dosjet e luftëtarëve të UÇK-së ishte shenja që kishte lënë, enigma e daljes së dosjes hetimore të Millosheviçit në gjykimin e këtij të fundit në Hagë rëndon edhe sot e kësaj dite, e, mbi të gjitha, katapultimi i tij si një yll në ngritje në të gjitha strukturat e larta të opozitës, ku nuk kishte qenë veçse askush, kërkonin haraçet e vjetra.

Për më shumë se 8 vite në drejtimin e opozitës ai ishte njeriu i përkëdhelur dhe i zgjedhur me dorë nga Berisha. Dhe ishte i paprekshëm; mund të ishte i ngrirë kur të donte dhe të shkrihej kur ta donin, të humbiste dhe të mos e bënte qejfin qeder, të pasurohej dhe herë pas here të ndante pasurinë e tij me ato që e kishin vendosur në postin që as e kishte ëndërruar. Kur mendoi se mund të ishte i pavarur, apo, më saktë, kur e urdhëruan të bënte provën e të pavarurit, aty filloi rrëshqitja dhe, më pas, rënia e tij. Mjaftuan shtatë muaj për të rënë nga posti, të cilin nuk kishte mundur ta personalizonte në 8 vite. Kështjella e tij, në dukje e një të forti, ishte shembur. Ai ëndërron të kthehet, është larguar me mendimin se mund të bëjë kthimin e tij në një të ardhme të afërt, por ky do të jetë misioni i pamundur i tij.

A u largua Basha vetëm se kishte humbur gjithnjë në tetë vite?

Kjo është shenja e dukshme e dorëheqjes së detyrueshme të tij. Në çdo fushatë ai kishte humbur, që nga zgjedhjet politike, deri te ato vendore. Kishte humbur i buzëqeshur dhe krenar, duke premtuar se tani do të fillonte lufta e tij. Kishte humbur i gëzuar. Humbja më e turpshme ishte ajo e vitit 2017 dhe, në një forcë politike normale ai duhej të kishte ikur që atij qershori. Marrëveshja e turpshme me Edi Ramën në 17 maj dëshmoi se tani opozita ka në kreun e saj një llogaritar, jo një politikan. Sythet e së keqes që kishte pasur në vete buluan shumë shpejt duke u bërë e keqja e dukshme, pa arritur kurrë të bënte drejtpeshimin e ngjarjeve dhe të vetë opozitës.

Por, ai nuk e largua thjeshtë se humbi. Humbja ka emrin e tij, por edhe të tjerëve. Askush nga ekipi drejtues i opozitës nuk mund të lante duart nga humbja. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë e të gjithëve.

Basha, ashtu si ishte, i rrezikshëm natën dhe i qeshur ditëve, u bë i pabesueshëm për këdo. Askush nuk e ndjeu veten më të aftë pranë tij dhe më të dobishëm. Askush nuk ishte dhe nuk mund të ishte i sigurtë se ai do e mbante fjalën që kishte dhënë, nëse nuk do të kishte përfitimin e tij material. Për të, në politikë, dy plus dy do të bënin aq sa donte kunati i tij. Nuk kishte rëndësi se kush paguante, por sa paguante. Demokratët e dinin këtë, por kishin heshtur, duke lënë vetëm disa zëra kundërshtues, të paktë, por të pa ndjekur nga të tjerët. Duke u fshehur pas mantelit të Berishës, dhe në fakt, ishte mantel i gjerë që mbulonte shumë çka, Basha dërgoi drejt humbjes partinë e tij, duke synuar destabilizimin, e, meqenëse nuk kishte asnjë stof nga ai i politikës, synoi ta bënte këtë përmes një rruge që mbyllej atëherë kur merrte haraçin e tij. Ndoshta edhe më shumë se sa Berisha, ai e ktheu PD-në në pronë private, ku çdo gjë mund të blihej dhe të shitej, pa bërë dallim nga ata që kishte rreth e rrotull, disa nga të cilët i “ rriti” pranë vetes si jeniçerët e tij dhe që, nga të parët, ia kthyen shpatën. Ku është fati politik i gjithë atyre që nisen për rrugë duke mbajtur pranë vetes njerëz që lehtësisht të mbartin mbi shpatulla dhe, po aq lehtësisht të rrëzojnë. Mungesa e vizionit, e më tej se kaq, mungesa e idealit, do e bënte opozitën masë amorfe, pa identitetin e saj politik, të pa aftë për të qenë përballë pushtetit dhe, për më tepër, e pa zonja për ta rrëzuar atë. Naiviteti politik, si braktisja e parlamentit dhe shpresën se qeveria do të bjerë, apo braktisja totale e pushtetit lokal, ku opozita mbeti lakuriq, janë nga ata “gjetje” të sëmura, që nuk ndodhin kurrë në politikë, e që nuk mund të ndodhin.

Më shumë se nga humbjet në zgjedhje, ku kjo e 6 marsit ishte kapaku i fundit, ai u largua sepse askush nuk besonte më tek ai, bile as Grida Duma e Salianji, dy simbole të politikës boshe që kishte përkëdhelur Basha.

A ishte Basha njeriu i amerikanëve?

Përjashtimi i Berishës, fillimisht nga grupi parlamentar, e më pas nga partia ku kishte qenë bashkë themelues, me siguri, u bë nën diktatin e Departamentit të Shtetit. Asgjë nuk ndodh rastësisht në politikë. Ambasada amerikane në Tiranë nuk kishte folur përmes statuseve të dyshimtë, por drejt për drejtë dhe duke bërë kërcënime të hapura. Atyre nuk u duhej më Berisha në politikë, pasi, i shpallur non grata, si askush tjetër në trevat ballkanike, ai duhej dëbuar dhe këtë mund ta bënte vetëm Basha. Fakti që ai e mori gjithë riskun përsipër tregon se i kishin dhënë garanci mbështetëse, duke harruar se lider nuk mund të bëhesh përmes dekreteve politike të ardhura nga jashtë. Kishte qenë risk i madh, të cilin lehtësisht e mori të gjithin mbi vete, pa e kaluar fillimisht në strukturat politike të partisë që drejtonte. Naiviteti është dhunti e të pa munduarve. Ai vetë ishte një i tillë, pasi gjithçka kishte gjetur gati. Marrëzisht gati.

Megjithatë, jam i bindur se strukturat përkatëse larg Shqipërisë kanë ditur më shumë se sa është shfaqur për liderin e opozitës. Ai ishte njeriu i tyre deri sa ishte i domosdoshëm për të qenë i tillë, por, në ecurinë politike të Bashës ata shpesh herë kishin kundërshtuar dhunën politike dhe të rrugës, braktisjen e parlamentit, kryeneçësinë e pavend dhe të pagjetur, dëshirën e de stabilizimit të vendit përmes rrëmujës, përfshirjen në afera të dyshimta financiare apo, edhe më tej , lidhje të pasqaruara me lobe serbe apo ruse, sidomos me këto të fundit.

Basha kundërshtoi mendimin amerikan kur ai nuk ishte në vijën e tij politike dhe financiare, por e pranoi atë kur mendoi se kjo i interesonte. Amerikanët, si politike dhe struktura të tjera, jo pak herë kishin ndeshur në selinë e opozitës një drejtues që drejtohej nga jashtë, por që mendimin e tij politik e ndryshonte sipas ditëve. I pabesuar në çdo marrëveshje, duke gjetur vetëm alibinë Berisha, ai synoi të bëhej njeriu i amerikanëve vetëm me përjashtimin e babait të tij politik, por jo përmes mendimit emancipues dhe progresiv. Në thuajse 9 vite si lideri i opozitës nuk solli asnjë risi që përputhej me demokraci të zhvilluara, kundërshtoi kur duhej të bashkëpunonte dhe reagoi ashpërsisht kur nuk ishte koha e as vendi i tij.

A ishte Basha njeriu i rusëve?

Kjo është njëra ndër akuzat më të ashpra dhe të vazhdueshme që iu bënë atij në shtatë muaj përplasje me Berishën. Gjithnjë e më shumë duke rritur tonin e akuzës, ish lideri demokrat e akuzoi atë si njeriu që kishin përfituar nga fonde të fshehta të strukturave ruse për të lobuar në Departamentin e Shtetit dhe pagesat e dyshimta ishin zbuluar nga jashtë shtetit shqiptar. Kishte mjaftuar vetëm një gërmim i thjeshtë për të gjetur se, në kohë krize, fshehtas, firma të fshehta ruse, edhe të lidhura me shërbimin sekret, kishin bërë pagesa të mëdha në favor të Bashës drejt firmave të njohura amerikane.

Akuzat e vazhdueshme të Berishës, pra, të njeriut që di gjithçka ka ndodhur në selinë shqupase, nuk janë të rëndomta dhe as të zakonshme. Ato duhen sqaruar urgjentisht, pasi, është krejt e mundur që, pas rrëzimit të detyruar të Bashës, të harrohen, të kalojnë në kalandrat greke dhe askush të mos mbajë përgjegjësi për to.

Tani në PD është një situatë krejt tjetër. Ajo ka para vetes dy rrugë: ose të kalojë plotësisht në obskurantizëm politik, çka do të ishte dërrmimi i saj , shembja përfundimtare dhe në Shqipëri të kishim një opozitë thellësisht antiamerikane, ose të nisë reformimi i saj.

Është fakt se, që nga 22 marsi i 30 viteve më parë, PD është tkurrur dhe nuk ka qenë asnjëherë më parti e parë politike në Shqipëri. Në 22 vite atë e ka drejtuar Berisha, lideri i dorës së fortë, e megjithatë është tkurrur, e në 9 vite Basha që herë pas here e dërgoi në theqafje.

Një forcë politike me shfaqjen e saj anti-atlantike do të ishte drejt fundit të saj. Pa asnjë shpresë për të ardhmen dhe dëshmi se si një njeri i vetëm mund të ndryshojë rrjedhën e saj.

Berisha tani nuk ka asnjë alibi përballë vetes dhe asnjë “ armik”brenda vetes. . Lufta ndaj Bashës përfundoi dhe bashkë me të edhe ndaj atyre që në shtatë muaj kërkuan e gjetën gurë për të hedhur ndaj Berishës, shpesh herë me të drejtë.

Nëse Basha ka qenë e keqja e vogël e PD-së, që mund të zmbrapsej me jo shumë mund, Berisha do të jetë e keqja e madhe që nuk largohet lehtë.

Në fakt do të jetë fitorja e hidhur, më e hidhura që do të ketë opozita, megjithëse shumë do të bërtasin fitore.

Të ngjashme