Një atentat me armë zjarri ka ndodhur sot në Tiranë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në zonën e ‘Astirit’. Deri tani mësohet se kanë humbur jetën 2 persona, të cilët ishin duke udhëtuar me një mjet tip ‘Audi’.
Burime për Tirana Web bëjnë me dije se ndaj dy viktimave është qëlluar nga një mjet tjetër në lëvizje. Viktimat janë Erigers Mihasi, 32 vjeç dhe Armand Dumani 26 vjeç. Deri tani mësohet se Mihasi ka qenë duke drejtuar mjetin, ndërsa Dumani ka qenë pasagjer.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës: Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.