26/01/2023

Ky është 47-vjeçari Prek Tonaj, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 19 e 15 minuta në fshatin Grude e Re, kur një person i maskuar ka hyrë në ambientet e një lokali në qendër të fshatit dhe ka qëlluar disa herë me kallashnikov në drejtim Tonajt.

47-vjeçari morri plagë të shumta në pjesën e sipërme të trupit dhe burime nga policia bën të ditur se ai ka humbur jetën në vend. Autori menjëherë pas krimit u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa humbi gjurmët duket përfituar edhe nga errësira.

Policia ngriti postblloqe, ndërsa morri në pyetje personat që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes në përpjekje për identifikimin e autorit dhe kapjen e tij.

Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi familja e Prek Tonajt prej vitesh është përfshirë në një konflikt me një tjetër familje. Më parë viktimës i janë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë, njëri prej tyre është ekzekutuar në Dukagjin, ndërsa tjetri është vrarë në burg.

Vetë Prek Tonaj, i cili ishte punonjës i Ujësjellës Kanalizimeve të Shkodrës, 11 vite më parë ka tentuar të marrë hak për vrasjen e vëllezërve, por Policia e Shkodrës parandaloi ngjarjen dhe arrestoi atë së bashku me Ndue Tonaj, 68 vjeç, banues në fshatin Vuksan dhe Ndoc Prelën, 44 vjeç, banues në lagjen “3 Heronjtë” në qytetin e Shkodrës.