01/02/2023

Gledis Mehalla, 20 vjeç, është ekstraduar në Britaninë e Madhe. Policia në Lushnjë e vuri në pranga të riun më 2 Tetor të vitit të kaluar me qëllim ekstradimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Gledis Mehalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtare pasi më 4 Maj të këtij viti ndaj tij Gjykata e Kardifit kishte lëshuar një urdhër arresti për vrasje.

Me 20 Janar Mehalla është dërguar në Britani dhe pritet që të dalë përpara gjykatës. I riu nga fshati Gradishtë akuzohet për vrasjen e polakut Tomasz Waga, i cili u gjet i pajetë nga një kalimtar që po shëtiste qenin.

Në lidhje me ngjarjen, autoritetet britanike kanë arrestuar edhe disa persona të tjerë ndërsa ka edhe persona në kërkim. Josif Nushi, Mihal Dhana, të cilët janë ekstraduar nga Parisi dhe Mario Qato akuzohen gjithashtu për vrasjen e polakut dhe do të dalin para gjykatës më 1 Mars.

Viktima: Tomasz Waga

“Kufijtë ndërkombëtarë nuk janë më barrierë për të ndjekur personat e dyshuar për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar, kemi lidhje të shkëlqyera me kolegët në Europë. Tashmë kërkoj të gjej vendndodhjen e dy shqiptarëve të tjerë të cilët kanë lidhje me këtë ngjarje. I bëj thirrje komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar që të na ndihmojnë me lokalizimin e tyre”, tha hetuesi Mark O’Shea.

Dy personat e tjerë në kërkim për vrasjen janë Elidon Elezi, 22 vjeç dhe Artan Pelluci, 29 vjeç.

O’Shea u shpreh po ashtu që dy të dyshuarit të dorëzohen vetë. Në lidhje me ngjarjen janë sekuestruar po ashtu shumë mjete, por ajo më e rëndësishmja, një makinë tip “Benz”, nuk dihet se ku ndodhet. Autoritetet thonë se aty ka prova të rëndësishme që mund të lidhen me hetimin.

Për kapjen e dy shqiptarëve ofrohet një dëmshpërblim prej 5 mijë paundësh. Siç ka  transmetuar BBC që në Qershor të këtij viti, autoritetet e dinin se personat e mësipërm, të arrestuar dhe në kërkim kishin lidhje me Lushnjen, Yorkshire, veriperëndimin e Londrës dhe Bristolin. Madje edhe për Mehallën kishte një shpërblim prej 5 mijë paundësh.