01/02/2023

Akademikë, studiues, ekspertë të çështjeve evropiane nga Shqipëria, Italia dhe Spanja kanë marrë pjesë në një konferencë shkencore të organizuar në Tiranë paralelisht me Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Diskutimet e paneleve u përqendruan në një këndvështrim ndryshe të marrëdhënies së vendeve të rajonit në raport me unionin: çfarë sjell konkretisht Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në BE në plan afatshkurtër dhe afatgjatë.

Qëllimi i kësaj konference shkencore është që përtej paragjykimeve dhe qasjeve negative, të theksohen arsyet se pse BE duhet te zgjerohet me anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor që aktualisht kanë mbetur si një ishull i rrethuar nga vendet tashmë të anëtarësuara.

Konferenca ishte një bashkëpunim i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, Institutit të Medias dhe ambasadave të Italisë, Spanjës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian.

Të pranishëm ishin ekspertë dhe diplomate si Alvaro Renedo Zalba, ambasador i Spanjës në Shqipëri; Prof. Charles Powell, Drejtor i Elcano Royal Institute në Madrid; Carmen Tascini, diplomate në ambasadën Italiane në Tiranë; Prof. Matteo Bonomi, studiues i lartë në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Romë dhe ndër ekspertë të tjerë të huaj edhe përfaqësues shqiptarë të çështjeve të integrimit.