Dalin detaje të reja nga arrestimi mbrëmjen e së premtes i një efektivi të RENEA-s që kishte krijuar një grup të shpërndarjes së drogave të forta në Tiranë. Rael Luli, 27-vjeçari që shihni në këtë foto, pjesë e Forcave Speciale RENEA ishte drejtues i grupit të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit në disa zona të kryeqytetit.
Bashkë me të në pranga u vendosën edhe 2 persona të tjerë Jurgen Luli 30 vjeç dhe Gevi Spahia 27 vjeç i dënuar më parë për tentativë vrasje. Në gjendje të lirë do të ndiqen Gertjan Harapi 26 vjeç dhe Ergi Sala 26 vjeç.
Mësohet se gjithçka nisi nga një denoncim i banorëve të zonës së ish-parkut të autobusëve për një grup shpërndarësish droge që ishte aktiv në zonë. Për shkak të përfshirjes në këtë grup të trafikut të drogës të një efektivi policie, në operacion u përfshi edhe Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa.
Grupi është mbajtur nën vëzhgim dhe lëvizjet e tyre janë përgjuar për disa kohë. Grupi për shpërndarjen e lëndëve narkotike vepronte kryesisht në zonën e njohur si “Parku i autobusëve”, Kombinati, Misto Mame, Yzberishti dhe Qyteti i Nxënësve.
Ndërhyrja e policisë bëri që anëtarët e grupit të kapen në flagrancë. Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e të arrestuarve, ndërsa ka sekuestruar kokainë, kanabis, ekstazi, fara kanabisi, rreth 12 mijë Euro, 7 peshore për ndarjen e drogës dhe 3 pistoleta të markave Bruni dhe Glok si dhe municione.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të personave të implikuar në këtë grup që merrej me shpërndarjen e drogës në Tiranë.