E vramë edhe kalin e radhës, Anastas Kristofori

Nga Arben Rrozhani
Drama psikologjike amerikane e Sydney Pollack ”A nuk vriten edhe kuajt kështu?” do t’i shkonte shumë mirë Anastas Kristoforit dhe të ngjashmëve të tij, në fund të jetës. Filmi ikonë i vitit 1969 me aktorët Jane Fonda, Michael Sarrazin apo Susannah York, bazohet te historia e pas-Depresionit të madh ekonomik të Amerikës dhe fabul është një garë vallëzimi ndërmjet disa çifteve, për të fituar një çmim që do i nxirrte nga gjendja e rëndë financiare, por fitues do të shpallej çifti që do rezistonte më shumë se të tjerët në arenën e vallëzimit.
Anastas Kristofori ishte “kali” i vallëzimit të përditshëm të mbijetesës së çdo pensionisti në Shqipëri.
Ky djalë Bregu, nga një fshat me nënën e kryeministrit të Shqipërisë, ky “drejtor” që nuk arrinte as të përkulej prej barkut të kërcyer, për të prekur mallin e shitësve të fruta-perimeve, vitet e fundit ishte në rolin e përditshëm të lypësit të 10 lekëshit më lirë te rrugica “Him Kolli” në Tiranë, përballë fshatarëve qesëndisës që vijnë çdo ditë nga periferia e Tiranës për të shitur një dorë spinaq, hudhra, qershi, kumbulla, presh apo qepë të njoma.
E ka çdo rrugicë e Tiranës dhe e Shqipërisë Anastasin e vet, “kalin” që vritet përditë, ndërsa ai rron ende me famën e dikurshme. Shqiptarët i shikojnë, shijojnë dhe argëtohen me artin e tyre mbrëmjeve, por ditën ata duhen vrarë me fjalë dhe vështrime, siç përzihet një lypës që të ngjall krupën. Është fatkeqësia e një brez të bujshëm që bënë artin dhe kulturën tonë të papërsëritshme, ikjen e të cilëve mediat e përcjellin me tituj bombastikë të tipit “Arti në zi”, edhe pse i ka harruar bashkë me qeverinë në të gjallët e tyre.
I kanë harruar edhe pse Anastasi ka mëse 3 dekada që na fanepset si drejtori dhe krushku i Vanit, televizionet dhe platformat online fitojnë me “Pallatin 176’ dhe qindra prodhimet e tjera të skenës dhe ekranit të krijuara përpara se arti dhe artistët të dilnin nga moda dhe të visheshin me qyrkun e lypsarit, për t’u zëvendësuar me shalëjashtat e silikonit dhe qeverisësit milionerë që krenohen se janë bolehekur.
Një turp kombëtar që bie shoqërinë mbi që ndërtuam, udhëheqësit që lejuam dhe artistët që vramë përsëgjalli. Ndaj, kur të shuhet aktori dhe artisti tjetër, pas Anastas Kristoforit, më mirë le të themi dhe shkruajmë: E vramë edhe kalin e radhës!