8.5 C
Tirana
Monday, 25 October, 2021

E megjithatë, telefoni celular ekzistonte 75 vjet më parë

Të gjithë sot i konsiderojnë celularët si diçka mëse normale, sidomos ata që janë lindur në fillim të viteve 2000. Por përçapjet për të bërë të arritshme këtë teknologji të telefonisë së lëvizshme dikur dukeshin të pamundura dhe shpesh si trillim shkencor. Ndaj ky evoluim mori dekada të tëra përpjekjesh nga mijëra shkencëtarë dhe inxhinierë.

Shumëkush ka dëgjuar se telefoni celular është një shpikje e viteve 1980 ose ’90. Në fakt njerëz me celularë në duar u panë për herë të parë vetëm në fillim të viteve ’90, ose kështu e dimë.

E megjithatë, sistemi i parë i telefonisë celulare u prezantua 75 vjet më parë, më 17 qershor 1946. Pajisjet ishin të destinuara për makinat dhe zinin pjesën më të madhe të bagazhit, pasi peshonin 40 kilogramë.

Shërbimi, i disponueshëm vetëm në qytetet dhe autostradat kryesore amerikane, arriti të mbledhë 5,000 klientë në dy vjet, sipas Daniel Bliss, një inxhinier elektrik në Universitetin Shtetëror të Arizonës, SHBA, raporton noa.al.

U deshën 27 vjet, deri në 1973, që telefonat celularë më të rafinuar, të prezantoheshin nga Motorola, e cila më vonë u bë një nga prodhuesit më të mëdhenj të celularëve.

Kaluan edhe gati 30 vjet që telefonia celulare të futej në popullatë. Gara ishte mes SHBA dhe Japonisë dhe startin e fitoi kjo e dyta.

Gjithçka që u interesonte shkencëtarëve ishte si ta bënin telefonin e lëvizshëm sa më të vogël dhe praktik për përdorim kudo.

Ishte gjithashtu e nevojshme të krijohej infrastruktura me stacionet celulare. Shërbimet e para celulare u bazuan në disa kulla radio, kështu që të gjithë abonentët në çdo qytet të madh përdorën të njëjtin stacion bazë, një kufizim që e bënte komunikimin të vështirë.

Problemi u trajtua në fillim të viteve 1980 me zhvillimin e rrjeteve celulare, të cilat përdornin shumë antena më të vogla dhe njëko rritën numrin e pajtimtarëve që u shërbenin.

U deshën gati një shekull investime nga qeveritë dhe kompanitë për të përsosur telefonat celularë. Dhe një pjesë e konsiderueshme e financimit erdhi nga ushtria amerikane.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore lindi nevoja për komunikimin e trupave në terren. Motorola zhvilloi SRC-536 Handie Talkie, e cila u përdor nga ushtria amerikane. Ishte një transmetues në formë telefoni, mjaft i vogël për kohën, për ta mbajtur edhe në njërën dorë.

Një rol të rëndësishëm luajti edhe DARPA, Zyra e Shteteve të Bashkuara për Programet Kërkimore të Avancuara të Mbrojtjes, më e njohur për rolin e saj në zhvillimin e teknologjive të internetit.

DARPA ka investuar në algoritme për konvertimin e zërit në sinjale elektrike, procesorë, zvogëlimin e metodave dhe parametrave të tjerë të telefonave celularë.

Që atëherë, evolucioni i teknologjisë ka vazhduar dhe na ka sjellë sot në rrjetet e gjeneratës së pestë, tani e njohur si 5G, teknologji e cila premton të rrisë në mënyrë domethënëse shpejtësinë e transferimit të të dhënave dhe të hapë rrugën për të ashtuquajturin Internet of Things, një internet që nuk do t’u shërbejë vetëm njerëzve, por edhe të gjitha llojeve të pajisjeve elektronike.

Në Shqipëri, thirrja e parë në celular u bë në fund të vitit 1995 nga kompania Albanian Mobile Communications (AMC). Për katër vjet, kjo kompani shtetërore shiti vetëm numra me kontratë (03820…) dhe kryesisht në Tiranë e Durrës. Në 2000 AMC u privatizua dhe nisi të përhapet gjerësisht në popullatë duke ndryshuar më pas prefiksin në 068.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com