Dy të vrarë në një atentat në Elbasan

 Dy të vrarë në një atentat në Elbasan

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan mbrëmjen e kësaj të hëne. Dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

TiranaWeb.al ka mësuar se këta dy persona janë qëlluar nga një makinë në lëvizje. Mësohet se një prej viktimave të kësaj ngjarje është Ardian Çollaku, 48 vjeç, ndërsa tjetri është identifikuar si Lulzim Bitri, rreth 35 vjeç.

Bitri ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa Çollaku fillimisht është plagosur dhe është dërguar në spital, por nuk ka mundur që t’u shpëtojë plagëve.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të një karburanti tek “Rrethrrotullimi i Luleve” në hyrje të Elbasanit teksa dy viktimat po lëviznin në këmbë. Autoritetet kanë gjetur në afërsi të Metalurgjikut një automjet tip “Volvo” të djegur që dyshohet se është përdorur për të kryer vrasjen.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarje. Paraprakisht dyshohet se ajo mund të ketë ardhur si pasojë e të shkuarës së një prej viktimave, por detaje të reja dhe më të sakta pritet që të dalin në vijim.

Në akset kryesore të Elbasanit janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve, identiteti i të cilëve nuk dihen ende.

Ardian (Subashi) Çollaku rezulton me precedentë penalë. Në 2015, ai u arrestua në qytetin e Elbasanit, pasi ndaj tij kishte një urdhërarrest ndërkombëtar.

Ai ishte dënuar nga Gjykata e Modenas në Itali me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale te “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”.

Informacioni paraprak i policisë:

Në Bradashesh, afër “Rrethrrotullimit të Luleve” dyshohet se nga një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave këmbësorë.

Si pasojë njëri prej tyre shtetasi Lulzim Bitri rreth 35 vjeç nga Katundi i Ri, Elbasan ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa personi tjetër Ardian Çollaku, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Elbasan. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli.

Në ndihmë të policisë vendore janë nisur FNSH e RENEA dhe një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Te Metalurgjiku po digjet një automjet tip “Volvo”, dyshohet i autorëve. Është rrethuar zona po vijon krehja për kapjen e autorëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për fiksimin e çdo prove ligjore që do çonte në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Të ngjashme