• 29/03/2023

Doli huq me bojkotin; Duka ndryshon taktikë. Kërkon ndihmën e ministres Kushi për Ligjin e Sponsorizimit

 Doli huq me bojkotin; Duka ndryshon taktikë. Kërkon ndihmën e ministres Kushi për Ligjin e Sponsorizimit

Çështja e Ligjit të Sponsorizimeve, e kërkuar me shumë ngulm nga komuniteti i futbollit rikthehet në vëmendjen e qeverisë dhe temë diskutimi në tryezën e dialogut. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shoqëruar nga presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova dhe drejtori i Departamentit Ligjor në FSHF, Aldi Topçiu, u pritën sot në një takim nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Një takim që u zhvillua në një frymë pozitive, miqësore e bashkëpunuese. Ministrja Kushi theksoi gatishmërinë e saj për të punuar intensivisht me komunitetin e sportit e për ta çuar përpara këtë nismë të rëndësishme ligjore.

Një takim që sipas presidentit Duka ka qenë mjaft i vlefshëm dhe propozimi i komunitetit të futbollit është mirëpritur nga ministrja Kushi, e cila është zotuar se do të japë mbështetjen e saj për të bërë të mundur ndryshimin e legjislacionit, që do të ndihmonte ndjeshëm futbollin dhe të gjithë sportin në Shqipëri.

“Sot patëm një takim me ministren e Arsimit dhe Sportit, kërkuar nga ne për të riaktivizuar atë iniciativë të lënë rreth 2 vite më parë për ligjin e sponsorizimeve. Takimi ishte shumë i mirë, ishte i pari për ta riaktivizuar. Ministrja e priti shumë mirë propozimin tonë. Do ta ndjekim bashkërisht procesin për të pasur mbase një ligj sponsorizimi në vitin 2022”.

Presidenti i FSHF-së, duke folur për mediat pas takimit, ritheksoi bindjen se propozimi i komunitetit të futbollit për ndryshimet në Ligjin për Sponsorizimin mund ta ndihmojë shumë futbollin dhe sportin shqiptar:

“Ne kemi ardhur me të njëjtin propozim, por nuk insistojmë në mekanizma apo në detaje. E rëndësishme është që të ketë një ligj për sponsorizimin, që të sigurojë mbijetesën e sportit në përgjithësi në Shqipëri, jo vetëm futbollit, por edhe sporteve të tjera. Në këto kushte e shohim që është e vështirë të kemi progresin e domosdoshëm që kërkojnë fëmijët.

Sporti nuk është thjesht një garë, një kampionat, por edukim, nivel jetese për fëmijët tanë dhe duhet ta shohim kështu. Edhe buxheti i shtetit, apo marrëdhënia e sportit me biznesin është për të siguruar të ardhmen e fëmijëve tanë.

Do të doja ta falënderoja ministren për marrëdhëniet shumë të mira me Federatën e Futbollit dhe për një lloj ndryshimi të qasjes së saj për zhvillimin e sportit. Kemi mirëkuptimin e saj, besoj se do ta çojmë përpara këtë gjë. Kemi ndryshuar taktikë.

Nuk kemi më taktikë me bojkot, por po provojmë një taktikë tjetër, duke filluar nga ministria e linjës. Në mbledhjen që kemi pasur para vitit të ri me Ligën Profesioniste kemi vendosur që një përfaqësi e klubeve dhe e federatës ta iniciojnë këtë takim me Ministren e Arsimit”.

Të ngjashme