“Do t’i dal vetë zot”, Eni Çobani bën premtimin e fortë publik

Në seancën e ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq”, Briseida na njohu me dramën e saj të fortë familjare, një tradhti e rëndë bashkëshortore dhe fëmijët e saj të traumatizuar nga kjo ngjarje.
Kjo e fundit ka përshkallëzuar deri në një tentativë vrasjeje ndaj babait prej djalit të saj 14-vjeçar.
E dëshpëruar dhe në kërkim të një zgjidhjeje, Briseida iu drejtua rubrikës së programit “E diela shqiptare” në Tv Klan duke u përballur me nënën e saj, Violetën.

Kjo e fundit e ka pranuar të qëndrojë në shtëpinë e saj, por pas një viti i kërkon të kthehet në banesën bashkëshortore.
Ardit Gjebrea:Si do ta zgjidhim?
Eni Çobani: Zgjidhja përfundimtare, e para dhe vendimtare është zgjidhja e martesës ku zonja patjetër të çlirohet përfundimisht nga lidhja ligjore me këtë bashkëshort sepse situata që shpjegoi patjetër që e justifikon deri në fund ndarjen e tyre.
Gjëja më e rëndësishme dhe që Briseida e theksoi, dhe unë për këtë do marr përsipër deri në fund të çliroj dhimbjen e kësaj nëne, është kujdesi ndaj fëmijëve të saj minorenë me një psikolog, që do ndiqet personalisht nga unë, ju nuk do keni asnjë shpenzim, shpenzimin për psikologun do ta marr përsipër vetë. Të ndiqen të dy fëmijët nga një specialist i fushës dhe për të treguar deri në fund që ne nuk jemi për dhunë. Ne jemi për bashkëjetesë, për një jetesë normale ku secili nga ne të ketë të drejtën të jetojë normalisht.
Tani, Violeta, ty nuk të lashë shumë përgjegjësi se ti ia hoqe vetes, the “jam nëna, por nuk mbaj dot përgjegjësi”. Unë nëna dhe babai i gjithë shqiptarëve nuk bëhem dot, por zgjidhja e shumë prej tyre do bëhem. Kështu që ju qëndroni në shtëpi se do vazhdoj unë me vajzën tuaj deri në fund dhe nëse do dëshironi t’i flisni, vazhdoni t’i flisni, do bëni mirë. Për të tjerat do t’i dal vetë zot.
Violeta: Moj vajzë, do bëjmë si do bëjmë sa ta zgjidhësh. Kam një vit, po të të mbaj mami, unë prapë nuk të hedh poshtë.