“Do të skuqemi të gjithë”, Vangjeli paralajmëron: Dosja e Veliajt po bëhet gati për në Strasburg

Analisti Lorenc Vangjeli ka lëshuar një paralajmërim lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, duke parashikuar se beteja reale nuk do të mbyllet në gjykatat shqiptare, por në Strasburg.

Gjatë diskutimit në emisionin “Trialog”, Vangjeli argumentoi se kërkesat e vazhdueshme të Veliajt për t’u njohur me aktet dhe refuzimet që po merrte, po ndërtojnë bazën e një dosjeje të fortë për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Proces i helmuar”

Sipas Vangjelit, çështja nuk duhet parë vetëm te fajësia apo pafajësia e momentit, por te standardi i procesit të rregullt ligjor.

“Ky proces ka nisur i helmuar që në fillim. Po flas për procedurat, jo për akuzat,” deklaroi ai, duke shtuar se ka pasur shkelje thelbësore që cenojnë integritetin e procesit.

Ai e cilësoi masën e sigurisë “arrest me burg” si krejtësisht joproporcionale, duke pasur parasysh edhe profilin e të akuzuarit.

“Veliaj mbart vullnetin e qytetarëve dhe ka edhe një kontratë me publikun që e ka zgjedhur,” kujtoi analisti.

Paralajmërimi për Strasburgun

Vangjeli theksoi se është fat që sistemi i drejtësisë ka një shkallë mbikombëtare si Strasburgu, por paralajmëroi për pasojat e një humbjeje të mundshme atje.

“Të gjitha këto kërkesa të Veliajt janë pjesë e një dosjeje që nesër do të shkojë në Strasburg. Në rast të një vendimi në favor të Veliajt nga atje, të gjithë do të duhet të skuqemi,” u shpreh Vangjeli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *