08/02/2023

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Ka një përpjekje të ethshme, sidomos nga analistë që miklojnë shumicën qeverisëse, për të paraqitur atë çfarë po ndodh në fushëpërplasjet e opozitës, si një ndeshje mes djallit të zi, Berishës, dhe djallit të bardhë, Lulzim Bashës. Në disa raste shkohet edhe më tej se kaq: paraqitjen e Bashës në petkun e një lideri të kohës dhe të fuqishëm, për shkak të përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar dhe, kthimin e tij në normalitet, duke vepruar në kornizën e parlamentit, përmes komisioneve parlamentare etj.

A është vërtetë kjo një përplasje mes “dy djajve”, njëri i zi dhe tjetri i bardhë, dhe, sa e bën kjo Bashën liderin e duhur të opozitës?

Që Basha nuk kishte rrugë tjetër, veç asaj të largimit të Berishës nga grupi parlamentar i opozitës, kjo nuk do mend. Me këmbët politike të futura në një këpucë të ngushtë, aq më tepër që e shtrëngonin çdo ditë në morsën e Departamentit të Shtetit, ai zgjodhi rrugën e fundosjes përfundimtare të babait të tij politik, megjithëse nuk ia kishte qejfi edhe aq të ishte aq hapur djali plangprishës.

Përcaktimin për Sali Berishën e ka bërë Departamenti Amerikan i Shtetit, në tri kritere fundosëse dhe synimi i tij për t’u ringritur, më shumë se shpallje lufte ndaj DASH është krijimi i një mburoje të re politike, sado e vonuar dhe e detyruar nga ajo që vazhdimisht e quan “prerje në besë”.Që Basha, pasi në mandatet e shkuara provoi çdo rrugë përmbysjeje, pa arritur askund, veçse në humbje, edhe kjo është një gjë e ditur. Sado që do të përpiqet deri në fund që qyrkun e fajit për braktisjen e parlamentit t’ia veshë Berishës, apo edhe më tej, protestat e dhunshme, tymin dhe bombat molotovë, sulmet mbi selinë qeveritare, autorësia mbetet e tij, ashtu si është krejtësisht e tij edhe refuzimi i gjedhjeve vendore, duke mbetur vetëm me një bashki të dhuruar nga Edi Rama, çka të krijon dyshimin e një marrëveshjeje paraprake.

Ideja se mes “dy djajve” duhet zgjedhur “I bardhi” është sa naive, aq edhe e pa saktë. Basha është përkohësisht njeriu që duan të shohin analistët e ngashëryer dhe për më tepër krahu i tyre në betejën e kaq shumë viteve kundër Berishës. Mendimi se bëjmë pakt me këdo dhe kurdoherë, edhe me një të keqe më të vogël, për të hequr qafe të keqen e madhe, në një moment mund të duket e saktë, por jo e plotë dhe as e duhura.

Basha, edhe më tej, mbetet njeriu që të gënjen edhe kur e pyet se sa është ora. Në ditët e fundit ai jo rastësisht ka deklaruar se rreth 95 për qind e anëtarëve të PD-së mbështetin pikërisht atë dhe jo-rivalin e babain e tij politik. Nganjëherë e çon edhe më tej këtë shifër, por kjo nuk është thelbësore. Asnjë analizë, vëzhgim apo anketë nuk dëshmon se ecuria e Bashës në PD është aq e furishme dhe aq e plotë, sa që lëvizja e Berishës dhe “foltoret” e tij janë sorollatje të padëmshme nëpër këmbë. Vëzhgime serioe kanë vërejtur se mbi 60 për qind e pjesës së opozitës ka humbur besimin te lideri aktual dhe anojnë më shumë nga besimi në ringritjen e Berishës. Fakti që lideri i sapozgjedhur i opozitës nuk bën asnjë lëvizje jashtë rrethit ë tij tribal, të zgjedhurve me dorën e tij dhe të emëruarve sipas shijes private, nuk e bën atë më të fortë, më të popullarizuar dhe më autoritativ në bazën e opozitës. Sepse, sado që nuk dëshiron ta shohë, ka një ndarje të thellë mes bazës opozitare, që mbetet për 12 vite, tani për tani, në opozitë dhe kastës që ai ka krijuar rreth vetes.

Basha mbetet edhe më tej ish ministri që, përmes një precedenti të rrezikshëm, mbylli dosjen e bujshme të Rrugës së Kombit; mbetet i njëtjti që si ministër që nënshkroi vrullshëm dhe pa asnjë brerje ndërgjegjeje kombëtare, çka duhej ta kishte meqenëse është në të njëjtën kohë “Bashë dhe Hot”, Marrëveshjen e Detit; mbetet po ai ministër që nga selia e shefit të tij vëzhgoi vrasjet gjakftohta të katër demonstruesve paqësorë; mbetet po ai që shpejtoi të fshijë gjurmët e gjakut, duke ndërhyrë te Presidenti i kohës, Bamir Topi; duke refuzuar ndalimin e disa drejtuesve të Gardës; mbetet i njëjti që u bë kryebashkiaku i Tiranës përmes votave të vjedhura dhe manipulimeve masive para e paszgjedhore; mbetet po ai që bëri kurban dashin e, bashkë me të, edhe frymën denigruese në punët e bashkisë; e në fund, mbetet po ai që mbron ende braktisjen e parlamentit, qenien në opozitë, blerjen e vilave që i fsheh si as nën mëngë.

“Djalli i bardhë”, si duan ta marrin me të mirë analistët që e kanë seriozisht me Berishën dhe përtallin sa mundin tinëzisht Bashën, nuk ka ndërruar gjë nga e djeshmja e tij. Vetëm se është vënë detyrimisht në binarët e një jete politike, të cilën ia imponuan. Kaq është e gjitha. Ajo që ka ndodhur më parë ishte devijimi i skajshëm, që nuk ndreqet sot nga detyrimi ku e kanë futur.

Beteja me Berishën nuk e shndërron atë. Është koha, kur, duke u gjendur nën vëzhgimin e shumëfishtë dhe i ngërthyer mes shtrëngimit politik, ai ndërron formën, duke dashur ta besojmë se ka ndërruar përmbajtjen. Ai që ende nuk ka njohur fajet e gabimet e tij, nuk ka dëshmuar të vërtetën e 21 janarit, ku ishte pjesë, që në tetë vite qëndroi nën hijen e ish-shefit dhe nuk u rrit kurrë politikisht, nuk mund të rritet brenda një çasti, megjithëse e ka pritur dhe ka punuar për atë çast.

Duke mos patur vetë forcën, në tetë vite, të ndahet nga e shkuara, ai thellon humbjet, duke pritur goditjen nga jashtë të Berishës, që i erdhi në një çast të dëshiruar për atë, kur ishte rizgjedhur shefi i opozitës, kishte rrethuar veten në të shumtën me dallkaukë, duke larguar e mbajtur larg dinjitozët. Nëse Basha e ka ditur apo jo goditjen që do të merrte Berisha, si funksionari më i lartë shqiptar i shpallur “non grata”, një kohë jo fort e largët do e sqarojë. Veç të duket e pamundur që ai të ketë njoftimin në të njëjtën kohë me të tjerët. Nëse ka ndodhur kështu, atëherë do të thotë se edhe ata që mendohet se mund ta sjellin në pushtet – të paktën ai beson në këtë- nuk e paskan seriozisht me të dhe nuk besojnë tek ai.

Fuqia e Bashës në strukturat e larta të PD-së është më e fortë se kurrë. Mbështetja e Bashës në bazën e partisë është më e lëkundur se kurrë. Ai mund të drejtojë me dorë të hekurt strukturat e emëruara nga vetë ai, por nuk ka as tagrin e as forcën për të fituar, sidomos tani për tani, besimin e humbur.

Në fuqinë e tij ai mund të të përjashtojë, të të largojë nga drejtimi, qoftë edhe për një qëndrim të vetëm, duke mos njohur asnjë kornizë statutore, njëjtë si bënte më parë shefi i tij i larguar. Duke pasur pas vetes hijen e rëndë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai është politikisht më i fuqishëm se Berisha dhe kështu duhej të ndodhte, por nuk është më i besuar se ai. Sepse vazhdon të jetë i fshehtë, enigmë mes rrëmujës dhe i pabesuar në momente të vështira.