01/02/2023

“Tensionet Kosovë-Serbi, asi i Putinit në zemër të Europës”. Ky është titulli i artikullit të publikuar nga media prestigjioze gjermane, Die Welt, që shkruan për rreziqet që i kanosen kontinentit të vjetër nga një shtet në Ballkanin Perëndimor. Gazetarja Carolina Drueten, shkruan se Serbia po kërcënon Kosovën dhe po llogarit në mbështetjen e Rusisë në përshkallëzimin e konfliktit. Në mes të luftës në Ukrainë, kjo hap opsione të reja strategjike për Kremlinin.

“Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës rrezikon të përshkallëzohet sërish. Një person në veçanti përfiton nga paqëndrueshmëria: Presidenti rus, Vladimir Putin. Ai është aleati më i rëndësishëm i presidentit serb, Aleksander Vuçiç, për çështjen e Kosovës. Putini dëshiron të destabilizojë Europën nga brenda. Ballkani Perëndimor ia ofron atij mundësinë për ta bërë këtë vazhdimisht.”

Gazeta gjermane “Die Welt”

Gazeta gjermane shkruan më tej se kjo mund të jetë e rrezikshme edhe për Bashkimin Europian që rrethon rajonin e Ballkanit Perëndimor. Si për ta konfirmuar artikullin e “Die Welt”, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Kharçenko tha se Serbia mund të mbështetet te Rusia për situatën në Kosovë dhe vuri në dukje se të dyja vendet do të vazhdojnë të koordinojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje.

Diplomati i Putinit shtoi se Moska do të vazhdojë të mbrojë Serbinë në arenën ndërkombëtare, konkretisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si anëtare e përhershme dhe kërkoi një zgjidhje përfundimtare të pranuar edhe nga Kosova. Ndër të tjera akuzoi perëndimin duke pretenduar se po përdor tensionet e fundit për t’i bërë presion Serbisë që t’i vendosë Rusisë sanksione.