01/02/2023

Nga Skënder Minxhozi

Partia Socialiste ka bërë të parin demarsh zyrtar pranë organeve të drejtësisë për të çuar në dënimin e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët u bënë protagonistë të masakrës së 21 janarit 2011, ku shteti vrau qytetarë të pafajshëm në këmbët e godinës së Kryeministrisë. Me dhjetë vjet vonesë socialistët janë bindur të padisin në prokurorinë e posaçme Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin, për ngjarjen më të përgjakshme politike, pas viteve 97-98 në bulevardin kryesor të Tiranës.

Një dekadë në pushtet është dashur që socialistët të mbledhin mendjen se me 21 janarin duhet të merren seriozisht. E pra, shumëkush i pati dëgjuar kur ishin në opozitë sesi përbetoheshin që sapo të vinin në pushtet do t’i hiqnin petët asaj tragjedie të panevojshme që mori katër jetë njerëzore, të cilat ende presin drejtësi.

Në fakt ka qenë disi e habitshme, për të përdorur termin më të butë, sesi Edi Rama ka qëndruar këto vite i patrazuar në zyrën prej nga në 21 janar “vigjëlonte” snaiperi numër pesë, siç e ka quajtur veten Sali Berisha në 21 janar, ndërkohë që vetë ngjarja mbetej e pazgjidhur. Ka qenë një angazhim solemn i tij dhe shumicës së tij, që e majta ta zbardhte ngjarjen më të rëndë politike të dekadës qysh në krye të herës. Qoftë edhe me duart e lidhura nga aleanca me Ilir Metën, e cila meqë ra fjala, ka pesë vjet që është shbërë.

Rama, Ruçi e gjithë hierarkia politike e të majtës shqiptare vazhdojnë t’i kenë një borxh të papaguar viktimave të asaj dite fatale. Ata e dinë mirë se apatia dhjetëvjeçare e të majtës në avancimin e kësaj dosjeje i ka dhënë hov gjatë dhjetë viteve aludimeve gjithfarësh rreth pakteve të heshtura me palën tjetër. Mos më prek, mos të prek, është më i zakonshmi i këtyre aludimeve!

Por 21 janari është një datë shumë e madhe për t’u skeduar në sirtaret e politikës apo në dredhat e shejtanllëqet juridike të drejtësisë. Kjo datë kthehet e rikthehet rregullisht në diskurin publik të këtij vendi nga largësia e 12 vjetëve dhe mjafton ky detaj, pra fakti që ajo mbetet prezente dhe therëse në debatin tonë publik, për të kuptuar se kjo mungesë paqëtimi vjen ngase 21 janari nuk ka gjetur zgjidhjen që duhet të japë ligji dhe drejtësia.

Vetëmburrja e Sali Berishës me atë që bëri në 21 janar shteti i tij, me vrasjet, gënjeshtrat që u mundua të fabrikojë, serverat e zhdukur, komisionin fantazëm të puçit që nuk arriti të prodhonte as raport final – e gjitha kjo ngrefosje e pashqetësuar e bandës së 21 janarit, edhe pas vitit 2016 kur Shqipëria votoi ngritjen e një sistemi të ri drejtësie, tregon se dënimi i autorëve të vrasjes në bulevard nuk ka qenë dhe nuk është një çeshtje provash si ato që zbuloi së fundi Artan Hoxha, por një nyje e pazgjidhur vetëm për shkak të mungesës së vullnetit politik e institucional të shtetit shqiptar.

21 janari ka qenë dhe mbetet njëra ndër sprovat më delikate për drejtësinë e re, pa kalimin e së cilës nuk ka SPAK e gjykata që mund të quhen vërtet të reja dhe të ndara nga e shkuara. Sepse në fakt 21 janari 2011 nuk është një dosje e thjeshtë krimi, por një bankprovë për mbarë shtetin, për ndarjen me të shkuarën.