Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin ndaj të pandehurit Robert Myftari, duke e dënuar atë me 10 (dhjetë) vjet burgim për akuzat e rënda të trafikimit të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Vendimi u dha pas zhvillimit të gjykimit me rregullat e zakonshme, ku trupi gjykues e gjeti Myftarin fajtor për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Detajet e vendimit
Në përfundim të procesit gjyqësor me Nr. 36/1 të vitit 2019, gjykata vendosi: Dënimin kryesor: Robert Myftari u dënua me 10 vjet burgim, si dënim i vetëm pas bashkimit të dënimeve për të gjitha veprat penale.
Për trafikun e mbetur në tentativë, dënimi ishte 10 vjet, ndërsa për grupin e strukturuar kriminal, 2 vjet. Gjykata vendosi që dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së lartë, dhe fillon nga dita e arrestimit të tij.
Konfiskimi i mjetit lundrues
Përveç dënimit me burgim, GJKKO vendosi edhe konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të mjetit lundrues (gomone) me të cilën dyshohet se është tentuar të kryhet veprimtaria kriminale. Ky mjet lundrues ishte sekuestruar nga policia shqiptare në nëntor të vitit 2015 me një ngarkesë prej rreth 800 kg lëndë narkotike.
Megjithëse fillimisht ishte në emër të Robert Myftarit dhe më pas ishte regjistruar në emër të djalit të bashkëpandehurit Ilirjan Duçellari, gjykata urdhëroi konfiskimin e tij bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Posaçme, i përbërë nga gjyqtarët Albert Meça, Luljeta Kole dhe Gentian Marku, është i ankimueshëm.
Të pandehurit i lejohet ankimimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.